Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për mbeturina, ngrihen dyshime për keqpërdorime
Shpallja e gjendjes të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet po konsideron e panevojshme nga ekologët. Ndërsa, opozita në Prishtinë e vlerëson si vendim të qëllimshëm. Drejtoresha e OJQ-së “ECO Z”, Egzona Shala potencon që nuk janë shterur të gjitha veprimet që pastaj të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.…
Lajme
Shpallja e gjendjes të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet po konsideron e panevojshme nga ekologët. Ndërsa, opozita në Prishtinë e vlerëson si vendim të qëllimshëm.
Drejtoresha e OJQ-së “ECO Z”, Egzona Shala potencon që nuk janë shterur të gjitha veprimet që pastaj të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
Sipas saj, gjendja me mbeturina në kryeqytetin e Kosovës është e pakontrollueshme, por jo edhe për t’u shpallur e jashtëzakonshme.
“Në qytet është gjendje e pakontrollueshme, është gjendje e pamenaxhueshme dhe është gjendje ndoshta absurde për t’u shpallur gjendje e jashtëzakonshme sepse nuk po krijohen mundësitë dhe alternativat. Mbledhja e mbeturinave nuk është vetëm alternativa që i bazohet komunës, por që munden me bë alternativa dhe situata më të mira…..me u shpall gjendje e jashtëzakonshme pa gjoba konkrete dhe pa vendime konkrete dhe pa alternativa me kontejnerë të plastikës nuk e kemi situatën e tillë që me krijua alarme te popullata dhe institucionet tjera për paaftësi menaxhuese të një institucioni siç është komuna e Prishtinës…Nuk mundet një kryetar i komunës me shpall një gjendje të jashtëzakonshme që nuk ka mund me menaxhua në mënyra të duhur për shkak të proceseve administrative”, shprehet Shala.
Ekologia Shala konsideron se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në këtë kohë zgjedhjesh është më shumë mundësi për keqpërdorim.
“Çka shohim ne si rezultat i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme është mundësitë e keqpërdorimit të kësaj situate e që predispozitat dhe shqip me thënë i vije era si e tillë në momentin që një situatë është para zgjedhjeve 5 ditë dhe shfaqen në procesin kur gjithçka tjetër është si një hije syve ndaj qytetarëve”, theksoi ajo .
Vendimi i Komunës së Prishtinës po konsiderohet i qëllimshëm edhe nga partia opozitare në kryeqytet, PDK.
Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Muhamet Selmani thotë se grumbullimi i mbeturinave nga kompanitë private po bëhet me synime për përfitime të personave të caktuar.
“Kjo gjendje e shpallur gjendje e jashtëzakonshme është krijuar qëllimisht nga drejtori ose struktura të caktuara brenda Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës. Po i jap dy fakte për këtë e para i kemi 8 kamionë të grumbullimit të mbeturinave që kanë ardhur më shumë se dy muaj në Kosovë dhe ende nuk i janë dorëzuar Kompanisë “Pastrimi” dhe kjo është bërë e qëllimshme, dhe janë 2500 kontejnerë të cilët presin në depot e Komunës së Prishtinës dhe nuk janë shpërndarë nëpër pikat e grumbullimit të mbeturinave…Mënyra e grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë përmes kompanive private është bërë me qëllim dhe për përfitime të personave të caktuar”, theksoi Selmani.
Duke komentuar rregulloren e re, asamblisti i PDK-së thekson se plotësim-ndryshimi i saj nuk e pengon angazhimin e sektorit privat për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.
Selmani thotë se rregullorja e re e ka legjitimuar angazhimin e kompanive private e cila parashihet të bëhet vetëm duke qenë nën menaxhim të kompanisë “Pastrimi”.
“Ashtu siç janë edhe deklaratat e pagesave të faturave mujore tregojnë që keqpërdorimi dhe pagesat kanë qenë të paplanifikuara dhe me çmime vazhdimisht të rritura. Rregullorja e re vetëm e ka centralizuar mënyrën ose më mirë të themi e ka legjitimuar mënyrën e angazhimit të kompanive private të cilat mund të kalojnë ose në rast nevoje për grumbullim të mbeturinave kompania ‘Pastrimi’ mund të angazhoj kompani private që ndihmojnë në grumbullimin e mbeturinave ose komuna mund të angazhoj kompani private, mirëpo ato duhet të menaxhohet përmes kompanisë ‘Pastrimi’ me qëllim që çmimet mos të jenë jashtë atyre që i kemi votuar në Kuvendin Komunal. Tenderi i kaluar me kompaninë se cila ka qenë e angazhuar për grumbullimin e mbeturinave në qendër ka dëshmuar se Komuna e Prishtinës ka paguar çmime shumëfish më të larta se ato të cilat ne i kemi votuar në Kuvendin Komunal e që është 6.20 euro”, theksoi ai.
Pas shpalljes së gjendjes emergjente nga Komuna e Prishtinës për menaxhimin me mbeturina, kanë reaguar edhe nga kompania “Pastrimi”.
Në reagim thuhet se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama po manipulon me mbeturina për t’ua dhënë tenderin miqve të tij.
Ata kanë thënë se i pari i kryeqytetit deri të martën në ora 9:00 nuk ua ka dorëzuar kamionët e as kontejnerët e blerë.
“Deri sot në orën 9 të mëngjesit, Rama nuk na kishte dorëzuar as kamionët dhe kontejnerët e blerë, as dokumentet e tyre për regjistrim. Vetëm pak para konferencës, rreth orës 9, ai dorëzoi disa prej tyre, por jo të gjithë, pavarësisht nga kërkesat tona të vazhdueshme. Ky është një tjetër tregues i qartë i manovrave për të bllokuar shërbimet publike dhe për të krijuar kaos të qëllimshëm”, thuhet në reagimin e tyre.
Në reagim thuhet se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka kërkuar nga disa punëtorë të sabotojnë punën e kompanisë për të krijuar kaos dhe tenderin t’ia jep një kompanie private.
“Tani, si justifikim për këto dështime të qëllimshme, Komuna ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave, duke pretenduar se “Pastrimi” nuk po e kryen punën si duhet. Të nderuar qytetarë, ne po punojmë pa pushim ne 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida, dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim që Prishtinën do ta pastrojmë nga mbeturinat…Duket qartë që synimi është hapja e një tenderi me negocim, ku edhe ekzistojnë dyshime se fituesi është i paracaktuar, kompania që tradicionalisht ka lidhje me pushtetin komunal. Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, procedurat e hapura do të shmangen, rregullorja e Kuvendit do të shkelet, dhe tenderi do t’u jepet emrave të përzgjedhur, siç ka ndodhur në të kaluarën. Pra, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike. Ne si ndërmarrje publike qëndrojmë të përkushtuar dhe zotohemi para qytetarëve se do të jemi në nivelin më të mirë të cilësisë së shërbimit në grumbullimin e mbeturinave|, thuhej në reagimin e kompanisë “Pastrimi”.
Komuna e Prishtinës ka shpall gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama deri te kjo situatë ka ardhur pasi koalicioni PDK-Lëvizja Vetëvendosje përmes plotësim-ndryshimit të rregullores po tenton ta pengojë angazhimin e kompanive private në menaxhim të mbeturinave.