Shpallet konkursi për rekrutimin e 34 prokurorëve të rinj të Kosovës, 10 vende rezervohen për serbët

Këshilli Prokurorial është duke zhvilluar mbledhjen e radhës, në të cilën është shpallur konkursi për prokurorë të rinj të vendit. Në këtë mbledhje, Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi ka prezantuar edhe disa nga pikat e rendit të ditës, pasi agjenda e KPK-së, parasheh, shpalljen e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj të Shtetit, themelimin…

Lajme

04/08/2026 10:11

Këshilli Prokurorial është duke zhvilluar mbledhjen e radhës, në të cilën është shpallur konkursi për prokurorë të rinj të vendit.

Në këtë mbledhje, Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi ka prezantuar edhe disa nga pikat e rendit të ditës, pasi agjenda e KPK-së, parasheh, shpalljen e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj të Shtetit, themelimin e Komisionit për Rekrutim, themelimin e Komisionit për Rishqyrtim si dhe caktimin e stafit mbështetës për këto dy komisione.

Gjithashtu, në agjendë parashihen edhe, shpallja e konkursit për avancim për prokurorë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, shpallja e konkursit për transferim të përhershëm të prokurorëve të Shtetit, brenda sistemit prokuroria si dhe themelimi i komisionit për transferim dhe avancim të prokurorëve të shtetit.

Pas kësaj anëtari i KPK-së, Dardan Vuniqi njoftoi se janë 34 pozita të lira për prokurorë, shkruan lajmi.net.

“Nga 34 pozita të lira, 10 të mbeten të rezervuara për komunitetin serb si pozita që burojnë nga marrëveshjet paraprake.Natyrisht nëse paraqiten edhe kandidat që plotësojnë kushtet dhe kriteret e prezantuara me ligj.Edhe pozitat tjera 24 për komunitetet joshumicë dhe shqiptarët edhe për këto pozita mund të garohet për komunitetet tjera.Pra natyrisht që të inkurajohet edhe pjesëmarrja e tyre në këtë konkurs”,deklaroi Vuniqi.

Kurse Gashi deklaroi se këto pozita duhet të jenë konform me ligjin që parasheh që duhet zbatuar.

“Unë i inkurajoj të gjithë pjesëtarët e komunitetit serb që plotësojnë kushtet dhe kanë interesim që të aplikojnë dhe ju siguroj që do të jetë proces i drejtë, meritor, transparent dhe i paanshëm”,deklaroi Gashi.

Pas kësaj propozimi për shpalljen e konkursit nga 17 gusht 2026 për 15 ditë është votuar nga 7 anëtarët e Këshillit.

Kësisoj shpallet konkursi për rekrutimin e prokurorëve të shtetit, i cili më pas do publikohet edhe në gazetën zyrtare./Lajmi.net/