Shpallet fitues i tenderit kompania për të cilën zyrtarja e ministrisë tha se kishte presion nga drejtoresha
Zyrtarja e ministrisë e denoncoi drejtoreshën e prokurimit për presion në një tender, ministria e shpallë fitues kompaninë.
Lajme
Drejtoresha e Prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Valmira Bllaca para pak ditëve është akuzuar nga një zyrtare e ministrisë se po i bën presion që të shpallet fitues një kompani e caktuar për tenderin “Hartimi i projekteve dhe konsulencë teknike-Shërbimet Gjeodezike”
Zyrtarja e MIA, Arbëror Gashi e cila ishte caktuar anëtare e komisionit vlerësues për ketë tender i ka dërguar një letër Sekretarit të ri të MIA, Izedin Bytyqi. Siç ka mësuar lajmi.net, në letrën e saj të cilën e ka drejtuar nëpërmjet e-mailit, ajo ka kërkuar nga Sekretari që të largojë emrin e saj nga komisioni vlerësues për këtë tender, i cili ndodhej në fazën e vlerësimit të ofertave.
Në letrën e saj, ajo kishte shkruar se ka presion nga ana e drejtoreshës Bllaca që të nxjerrë fituese për këtë tender një kompani që nuk i plotëson kriteret. Lidhur më këtë rast lajmi.net kishte raportuar në mars të këtij viti.
Zyra e prokurimit para pak ditëve ka bërë njoftim për dhënie të kontratës lidhur me tenderin në fjalë. Lajmi.net ka mësuar se fitues i tenderi është shpallur grupi i operatoreve ekonomik për të cilën zyrtarja e prokurimit kishte thënë se ka presion nga drejtoresha. Pra, fitues është shpallur fitues grupi i kompanive “Fidan Hysaj B.I”, “Lorenco -CO SHPK” , “Ges Plan SHPK”.
Po ashtu, lajmi.net ka mësuar se zyrtarja Gashi e cila kishte bërë kërkesë që të largohet nga komisioni vlerësues është hequr me rekomandim të sekretarit të ri.
Komisioni që bëri vlerësimin e tenderit ka qenë në përbërje prej tre anëtarëve: Afërdita Shkoreti, Zekrie Osmani Hajdari, dhe Emir Morina. Pra, në vend të Emir Morina ka qenë e emëruar që të jetë në komision Arbëror Gashi. Por, edhe në formular e vlerësimit të tenderit shihet se emri i saj është fshirë dhe është shkruar me laps kimik emri i Emir Morina.

Fillimisht, zyrtarja e ministrisë një letër ku shprehte presionin nga ana e drejtoreshës ia kishte dërguar ish Sekretarit, Betim Reçica, por ai nuk e kishte marrë parasysh që të sqarojë situatën në mes të zyrtares dhe drejtoreshës së prokurimit.
Lajmi.net ka mësuar se lidhur më këtë problematikë është njoftuar edhe ministri, Lumir Abdixhiku, dhe zv. ministri Avni Zogiani, por ata nuk e kanë ndërmarr asnjë masë qoftë as për tu njoftuar më në detaje për situatën.
Redaksia e lajmi.net që disa ditë ka kërkuar përgjigje nga zyra e informim e MIA dhe Sekretari Bytyqi lidhur më këtë rast po nuk ka marr përgjigje.
Lajmi.net ka mësuar se grupet e kompanive qe kane garuar për këtë tender janë:
- “Fidan Hysaj B.I”, “Lorenco -CO SHPK” , “Ges Plan SHPK”, me çmim prej 28,92 euro; 2. Grupi i kompanive “Geo –Grup SHPK”, “Infratek”, “Geo-Point-Al” me çmim 76, 26 euro; 3. Grupi i kompanive “Geo –Land”, “Consult Enfineering”, “3D Project”, me çmim 20.92 euro; 4. Grupi i kompanive “Mesciolugu Muhendislik Ve Musavirlink AS”, “Urban Metropol”, 60,50 euro; 5. Grupi i kompanive “Urb-Pro”, “Geo –Map”, “News”, me çmim 2.36 euro; 6. Grupi i operatorëve “Vizion Project”, “Vizurimi”, me çmim prej 32, 90 euro; 7. Grupi i kompanive “Infra Plus”, “Geoiing” me çmim prej 60.50 euro.
Kontrata është kornizë për 3 vjet dhe vlera e parashikuar e saj është 600 mijë euro.
Ky tender po orvatet që të realizohet që nga fillimi i vitit të kaluar dhe kjo është iniciativa e dytë, pasi ka qenë ritender, meçe herën e parë MIA i kishte shpallur të pa vlefshme të gjitha ofertat duke e vlerësuar se ofertat binin ndesh me një nen të LPP-së, pasi të gjitha kishin çmim jo-normalisht të ulët .
Sipas dokumentacioneve që i ka parë lajmi.net, grupi i kompanive i rekomanduar për kontratë ka qenë i pa përgjegjshëm. Është shpallur fitues në kundërshtim me kriteret e aplikuara nga MIA. Në fakt kompanitë kanë qenë administrativisht të pa përgjegjshme, ndërkohë dy kompani tjera kanë pasur çmim më të ulët.
Ditëve në vijim lajmi.net do të publikojë faktet se si komisioni i ministrisë e rekomandoi për kontrate një kompani të pa përgjegjshme. /Mentor Buzhala -Lajmi.net/