Shpallet e paligjshme dhe shfuqizohet Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të AKPPM-së
Gjykata Supreme ka marrë vendim me të cilin ka shpallur të paligjshme dhe shfuqizuar Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale AKPPM). Me vendimin e 29 shtatorit 2025, Supremja aprovoi si pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e paditësve: L. F., A.V., A.L.Z., Xh.I.,…

Lajme
Gjykata Supreme ka marrë vendim me të cilin ka shpallur të paligjshme dhe shfuqizuar Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale AKPPM).
Me vendimin e 29 shtatorit 2025, Supremja aprovoi si pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e paditësve: L. F., A.V., A.L.Z., Xh.I., P.Gj., L.B., H.S., M.R., A.I., S.T., e paraqitur kundër të paditurave Zyra e Kryeministrit dhe Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), raporton “Betimi për Drejtësi“.
Pjesa tjetër e këresëpadisë me të cilën kanë kërkuar që të detyrohet e paditura AKPPM që të nxjerrë aktin nënligjor normativ në përputhje me dispozitat ligjore, është refuzuar.
Po ashtu, Supremja refuzoi edhe kërkesën për caktimin e masës së posaçme/përkohshme të sigurimit, me të cilën paditësit kanë kërkuar ndalimin e prodhimit të pasojave juridike të Rregullores deri në vendosjen meritore sipas kërkesëpadisë.
Në vendim thuhet se ky aktgjykim merr formën e prerë menjëherë pas komunikimit të përmbajtjes dhe arsyetimit të tij palëve, dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.
Kolegji i gjykatës Supreme, pas shqyrtimit të kërkesës së paditësve për caktimin e masës së posaçme/përkohshme të sigurimit si dhe shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimit të aktit nënligjor normativ të kontestuar, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësve është e pjesërisht e themeltë.
Gjykata po ashtu ka vlerësuar se pretendimi i paditësve se Rregullorja është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese- është i themeltë. Shkalla e tretë konstaton se Rregullorja nuk është hartuar në pajtim me dispozitat ligjore përkatëse.
Supremja vlerëson se të gjitha aktet nënligjore të cilat prekin interesat e ligjshme, ose pësojnë ndryshime në pozitat e punëtorëve duhet t’i nënshtrohen konsultimit publik, veçanërisht nëse ky proces ka sjellë ndryshime reale në pozitën e tyre të punës.
“Një rregullore që ndikon drejtpërdrejt në marrëdhëniet e punës, e sidomos kur përfshin ndryshime në strukturë dhe pozita, përbën akt me ndikim të rëndësishëm institucional dhe si e tillë kërkon zhvillimin e konsultimit publik. Gjykata ka vlerësuar si të bazuara pretendimet e paditësve në këtë drejtim, ndërkohë që e paditura nuk ka mohuar mungesën e konsultimit publik”, thuhet në vendim.
Gjykata Supreme vlerëson se shuarja e pozitës së drejtorit të Departamentit për Administratë, Buxhet dhe Financa nuk është arsyetuar mjaftueshëm dhe nuk gjen mbështetje në dispozitat ligjore të cilave ju referohet e paditura.
“Gjykata ndonëse nuk ka kompetencë shqyrtimin e akteve administrative, megjithatë përkitazi me pretendimet mbi korrigjimin e gabimeve teknike të Rregullores (ZKM) – Nr.04/2025, përmes vendimit nr.prot.349/2, të datës 08.04.2025, të Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit, kjo gjykatë vlerëson se aktet nënligjore normative nuk mund të korrigjohen, përmirësohen apo ndryshohen përmes akteve administrative, andaj edhe i njëjti nuk mund të i nënshtrohet shqyrtimit si pjesë përbërëse e aktit nënligjor normativ, njëherit është jashtë kompetencave të sekretarit të përgjithshëm, pasi ndërhyn në një rregullore të miratuar dhe publikuar nga Kryeministri”, thuhet më tej..
Çdo ndryshim në përmbajtjen e akteve normative, Supremja thotë se kërkon ndjekje të procedurës së përcaktuar ligjore – formale.
“Në fazën paraprake, pretendimet dhe argumentet e paditësve nuk janë konsideruar të mjaftueshme dhe të besueshme për të justifikuar vendosjen e masës së sigurimit, prandaj gjykata ka vijuar me shqyrtimin meritor të çështjes. Gjykata, pas shqyrtimit në merita të pretendimeve të paditësve dhe aprovimit të kërkesëpadisë, ka arritur në përfundimin se caktimi i masës së posaçme/përkohshme të sigurimit pas shpalljes së paligjshmërisë dhe shfuqizimit të aktit nënligjor normativ të kontestuar, nuk është i domosdoshëm dhe nuk do të kishte ndonjë efekt juridik”, thuhet në vendim.