Shpallen Fajtorë Studentët e Fakultetit të Farmacisë
Në seancën kundër studentëve që akuzohen për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe legalizim të përmbajtjes së pavërtetë në vitin 2009, sot u be shpallja e aktgjykimit në përjashtim të Jashar Velijajt.

Lajme
Velijaj nuk e kishte pranuar fajësinë dhe ndaj tij ishte veçuar procedura e cila vazhdon ende.
Në fjalën përfundimtarë prokurori i rastit lidhur me studentët të cilët e kishin pranuar fajësinë deklaroi se në bazë të provave dhe nga vetë pranimi i fajësisë nga të akuzuarit është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
“Nga gjykata kërkoj që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, dhe gjatë matjes se dënimit si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë”, deklaroi prokurori.
Studentët të cilët e kishin pranuar fajësinë gjykata sot i shpalli fajtorë dhe iu shqiptoi dënimin, ku Arjana Begollin për dy veprat e dënoi me vërejtje gjyqësore dhe 3 muaj me kusht për një vit, Floriana Radoniqi-Pirevës po ashtu për dy veprat i shqiptoi vërejtje gjyqësore dhe dënim me kusht 3 muaj për një vit, Trim Shalës po ashtu për dy veprat dënim të njëjtë, Dilek Kastratit për dy veprat i shqiptoi dënim të njëjtë.
Ndërsa Albulena Dervishit dhe Ardiana Konjushit të cilat akuzohen për veprën penale të falsifikimit të dokumentit të pavërtetë gjykata u shqiptoi vërejtje gjyqësore.
Kurse ndaj të akuzuarit Jashar Velijaj që nuk e ka pranuar fajësinë seanca do të vazhdojë me 4 shtator 2015.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në rastin e studentëve të Fakultetit të Farmacisë ka ngritur aktakuzë ndaj Arjana Begollit, Floriana Radoniqi-Pirevës, Jashar Velijajt, Trim Shalës, Albulena Dervishit, Ardiana Konjushit dhe Dilek Kastratit.
Prokuroria akuzon grupin e studentëve se në vitin 2009 pasi që më parë janë marrë vesh mes veti, në bashkëpunim e me qëllim të shfrytëzimit, duke falsifikuar kanë ndërhyrë në dokumentet publike-indekset e tyre duke përshkruar notën në lëndën Kimi Analitike II.
Sipas prokurorisë këta studentë po ashtu kanë falsifikuar edhe nënshkrimin e profesorit të lëndës përkatëse.
Aktakuza ngarkon të njëjtin grup se me qëllim të vërtetimit të çështjes së pavërtetë kanë mashtruar personin zyrtar – referenten e Fakultetit të Mjekësisë – Dega Farmaci, duke përdorur edhe notën e falsifikuar për të regjistruar vitin e tretë të studimeve. /Kallxo.com