​Shoqatat e dala nga lufta bëjnë homazhe në Prekaz, Jashari: Në qeveri ka njerëz anti-UÇK

Me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari bëri kërkesë tek institucionet që luftës së UÇK-së t’i jepet vendi meritor. Sipas tij, qeveria duhet të respektojë…

Lajme

06/03/2025 10:45

Me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari bëri kërkesë tek institucionet që luftës së UÇK-së t’i jepet vendi meritor. Sipas tij, qeveria duhet të respektojë rrugën e bërjes së lirisë.

Jashari para mediave tha se arsyeja pse nuk kanë bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës për shënimin e Epopesë është se “ky institucion ka njerëz anti-UÇK”.

“I nderojmë dhe i respektojmë të gjithë të gjithë dëshmorët, të pandalshëm edhe të periudhave kohore të historisë sonë të lavdishme, në përgjithësi, por në veçanti të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke i nderuar, duke i respektuar bëjmë kërkesë tek institucionet që secilës veprimtari, secilës luftë, përpjekje në përgjithësi, por në veçanti të luftës së UÇK -së t’i jepet vendi meritor. Kërkesë tjetër është që këto institucione sidomos në tri ulëset, kryetari i parlamentit, qeveria të respektojnë rrugën e bërjes së lirisë, sepse duke respektuar rrugën e bërjes së lirisë, duke respektuar të gjithë ata që kanë dhënë diçka për të ardhur deri këtu qëndrojmë mirë dhe ecim bindshëm në rrugën dhe amanetin e dëshmorëve. Përveç lirisë dhe çlirim, kishin synim edhe bashkimin…Arsyeja pse nuk jemi bashkë në shënimin e epopesë së UÇK-së është sepse ne si organizata kemi menduar dhe kemi vepruar që mos t’i fyejmë dëshmorët…Por brenda kësaj qeverie ka njerëz anti-UÇK që e kanë thyer luftën”, tha Jashari.

Bashkë me OVL-UÇK -në, homazhe kanë bërë edhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve nga Shkodra.

Përfaqësuesi i kësaj organizate, Zamir Llozani tha se heroizmi i familjes Jashari është i pashembullt.

Ai u shpreh se sakrifica e familjes Jashari është një ngjarje që do t’i bëjë gjithmonë krenar pasardhësit e kombit shqiptar.

“Vijmë nga qyteti i Shkodrës, përfaqësues të organizatës të veteranëve dhe pasardhësve dhe të qytetit të Shkodrës për të qenë të pranishëm në këtë ngjarje të madhe, në këtë epope. Është një ngjarje e pashembullt, është një heroizëm i pa shembull, që në të gjithë kombet edhe të shtetit të Evropës nuk mund të haset një ngjarje e tillë, të flijimit të 59 heronjve të kombit tonë nga një familje. Është një ngjarje që na bënë dhe do të na bëjë tërë jetën tonë krenar sepse jemi pasardhëse të kësaj gjenerate, të kësaj AND-je, që janë përfaqësuesit më dinjitoz të kombit shqiptar”, tha Llozani.

5,6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore.