Shoqata shqiptare ‘Kosova’ ndihmon personat me nevoja të veçanta në Therandë
Shoqata shqiptare “Kosova” në Holandë ka bërë një donacion në formë të pajisjeve për personat me aftësi të kufizuara në komunën e Therandës. Dega e HandiKos-it në këtë komunë ka pranuar një donacion me pajisje në vlerë prej 12 mijë eurove.
Lajme
Mjetet që shoqata shqiptare “Kosova” ka dhuruar për degën e HanidiKos në Therandë janë nga më të ndryshmet, duke filluar me vinc për transport të personave me aftësi të kufizuara, katër copë, 17 rolatorë, një karrocë elektrike për fëmijë, pesë karroca tualeti, një shtrat ortopedik me rrymë, gjatë tavolina për shtretër, tetë karroca për lëvizje dhe pako me material higjenik.
Me këtë rast, kryetari i shoqatës “Kosova” në Holandë, Enver Avdijaj tha se ideja për këtë mbështetje për HandiKos-in e Therandës ka ardhur pasi në shoqatën “Kosova” ka persona me aftësi të kufizuara dhe i dinë nevojat që kanë ky komunitet.
“Pjesë të stafit të shoqatës shqiptare “Kosova” ne kemi persona me aftësi të kufizuara, kur i ke afër cdo ditë njerëzit që kanë aftësi të kufizuara i sheh dhe i përjeton ndryshe problemet e tyre. Andaj, ideja që t’i përkrahim HandiKos-in në Therandë ka ardhur natyrshëm” ka thënë Avdijaj.
Transportin nga Holanda për në Kosovë për pajisjet për personat me nevoja të veçanta e ka siguruar shoqata shqiptare “Kosova”. Ndërsa, edhe pse kaluan rreth 2 mijë e 300 kilometra, telashe nëpër dogana nuk pati.
Sa i përket përzgjedhjes së komunës dhe degës së HandiKos-it në Therandë, Avdijaj thotë se ishte krejtësisht e rastësishme.
“Zgjedhja e komunës, përkatësisht HandiKosin e Therandës, ka qenë krejtësisht e rastësishme. Njeri nga anëtaret e shoqatës sonë, i cili vjen nga komuna e Therandës, dhe na informuan se atje duhen disa gjëra për personat me aftësi të kufizuara, po ashtu na ka njoftu që HANDIKOSI në komunën e Therandës është më se profesional dhe ne kemi shprehë dëshirën që të punojmë me ta” pohon ai.
Të kënaqur me donacionin janë shprehur edhe nga dega e HandiKos-it në komunën e Therandës. Rexhep Kuçi, kryetar i kësaj organizate thotë se kërkesa për përkrahje të tilla është i vazhdueshëm.
“Personat me aftësi të kufizuar vazhdimisht kanë kërkesa por mendoj që kërkesa më e madhe tani është për fëmijë, kryesisht me mjete ndihmëse për lëvizje- vetë lëvizje” thotë Kuci.
Ai falënderon shoqatën shqiptare “Kosova” në Holandë për ndihmën që kanë ofruar. “Angazhimi i z. Enver Avdiaj dhe të tjerëve duhet vlerësuar lartë pasi që nuk është lehtë të jetosh jashtë vendlindjes dhe të merresh me aktivitete humanitare, mirëpo këtë e bëjnë vetëm njerzit me vullnet të fortë” përfundon ai.
Shoqata shqiptare “Kosova’ në Holandë ka ndihmuar edhe në të kaluarën dhe do të vazhdoj edhe më tej me aktivitete të tilla. Kryetari i saj thotë se kanë edhe projekte të tjera që presin t’i implientojnë së shpejti, ndërsa falënderon të gjithë ata që kontribuan në këtë projekt.
“Ne jemi të vendosur që në çfarë do forme me ndihmu bashkëkombësit tanë, ku do që ka shqiptar me nevojë ne do të përpiqemi që t’i ofrojmë ndihmë. Kemi disa projekte të ndrysme që mendojmë t’i konkretizojmë, por projekti më kryesor është që studentëve të ju ofrojmë mbështetje derisa t’i kryejnë studimet. Ky projekt që e përfudum me këtë donacion, e ka emrin “Dora e zgjatur”. Duhet të falënderojmë për kontributin e madh, Lulzim Dervishin, bashkëkombës i yni që jeton në Holandë por vjen nga Shkodra, pastaj Gyl Avdija, e cila na ka ndihmuar që ti grumbullojmë të gjitha ato mjete për higjienë dhe pajisje tjera” thotë Avdijaj.
Shoqata shqiptare “Kosova” me seli në Holandë merret me aktivitet ë ndryshme në këtë shtet, kryesisht kulturore, ku edhe mundëson takime të shpeshta ndërmjet shqiptarëve që jetojnë atje. /express/