Shoqata e Qumështoreve kërkon zbatim të plotë të vendimit për vajin e palmës

Shoqata e Qumështoreve ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të zbatohet plotësisht vendimi i Inspektoratit për ndalimin e produkteve me vaj palme dhe qumësht pluhur, duke pretenduar se në disa sektorë vendimi po zbatohet vetëm pjesërisht. Në reagimin e saj, Shoqata thotë se në rrjetet e marketeve është vërejtur një përmirësim, por pretendon se produkte…

Lajme

08/09/2026 13:45

Shoqata e Qumështoreve ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të zbatohet plotësisht vendimi i Inspektoratit për ndalimin e produkteve me vaj palme dhe qumësht pluhur, duke pretenduar se në disa sektorë vendimi po zbatohet vetëm pjesërisht.

Në reagimin e saj, Shoqata thotë se në rrjetet e marketeve është vërejtur një përmirësim, por pretendon se produkte të tilla vazhdojnë të shiten drejtpërdrejt në furra, restorante dhe lokale të tjera të gastronomisë.

Sipas Shoqatës, shqetësim mbetet edhe vazhdimi i prodhimit jashtë kanaleve të rregullta, për çka kërkohet ndërhyrje më e fuqishme e institucioneve.

“Vendimet shtetërore nuk janë opsion, duhet të zbatohen”, thuhet në reagim.

Shoqata kërkon nga Inspektorati që të gjurmojë edhe destinacionin e produkteve të larguara nga tregu dhe të hetojë se ku përfundojnë ato pas largimit nga pikat e shitjes.

Një tjetër kërkesë e Shoqatës është marrja e masave ndaj operatorëve që nuk respektojnë vendimet e institucioneve.

Ajo kërkon që operatorëve që shkelin vendimet dhe kërkesat ligjore t’u tërhiqen licencat.

“Moszbatimi i vendimeve nuk mund të kalojë pa ndëshkim. Të tërhiqen licencat e operatorëve që nuk respektojnë vendimet”, thuhet në reagim.

Shoqata u bën gjithashtu thirrje organeve përgjegjëse që të hetojnë përdorimin dhe tregtimin e produkteve me vaj palme dhe qumësht pluhur gjatë 15 viteve të fundit.

Shoqata e Qumështoreve thotë se çështja e vajit të palmës nuk është problem vetëm i industrisë së qumështit, por lidhet me sigurinë ushqimore, mbrojtjen e fermerëve dhe ekonominë e vendit.

“Vaji i palmës nuk është problem i Shoqatës,është problem shtetëror”, thuhet në reagim.

Në fund, Shoqata kërkon nga institucionet që vendimi të zbatohet pa përjashtime dhe që të mos ketë tolerim për operatorët që, sipas saj, vazhdojnë të shkelin rregullat.

“Vendimi është marrë. Ligji ekziston. Institucionet kanë përgjegjësi. Tani kërkohet vetëm një gjë: zbatimi i plotë i ligjit”, përfundon reagimi i Shoqatës së Qumështoreve.