Shoferja e parë, që theu tabunë në vitet ’60 kur ishte nuse e re (Foto)

Në fund te viteve 60 Dushë Doçi, nuse e re e martuar prej vetëm 2-3 vjetësh, vendos të thyejë një tabu duke nisur një kurs për shofere. Përballja me opinionin nuk ishte hera e parë për të renë e cila edhe më parë kishte luftuar për të plotësuar qëllimet e saj dhe kishte dalë kundër zakoneve prapanike të asaj kohe një prej të cilëve ishte edhe martesa me një burre të fesë tjetër. Profesioni i shoferes ishte një tjetër thyerje tabush për Dushen.

Lajme

19/06/2015 08:19

Për 30 vjet ajo punoi në Tropojë e u cilësua si e para shofere e kësaj zone duke marrë mbi vete edhe mllefin e të gjithë personave që e shihnin me shumë përbuzje për shkak të vendimit të saj për të pasur një profesion që deri atëherë shihej si i meshkujve.

Dëshira për tu bërë shofere

Ishte viti 1969 dhe Dusha kishte dy vjet që ishte martuar në fshatin Fushë-Lumi të Margegajve. Asaj i kishte lindur edhe një vajzë. Dy-tre vjet më parë ajo ishte përballur me gjykimin e rreptë të familjes së saj pasi kishte zgjedhur të martohej me një burrë të një feje tjetër veprim që për atë kohë e jo rrallë edhe në ditët e sotme në këto zona ishte tabu si për nusen ashtu edhe për dhëndrin.

E si për të vijuar thyerjen e zakoneve Dushe Doçi bën kërkesë për të vazhduar kursin e shoferave në Durrës. Nuk ishte dëgjuar ndonjëherë në malësi që femrat e sidomos nuset të bëheshin shofere. Por ja ajo vendosi.

Nxitje siç rrëfen Dusha në ditët e sotme ishte bërë një shoqe e saj nga Puka e cila i kishte thënë se do te vazhdonte kursin e shoferave. Në ato vite një grua tjetër nga Puka Raze Syla kishte mbaruar kursin dyvjeçar të shoferave dhe punonte në një ndërmarrje në qytetin e Pukës.

Kështu që Dusha pas përballjeve të mëparme për martesën do të niste një tjetër luftë me opinionin përreth.

Megjithatë ajo këmbënguli të shkojë në kursin e shoferave në Durrës në shkollën mekanike siç quhej në atë kohë të cilin e mbaroi me sukses. Pas mbarimit të kursit menjeherë filloi punë për disa muaj zetoriste në SMT. Kushdo që e shihte tek ngiste zetorin nëpër rrugët e qytetit e kryesisht gratë mbanin kryet me dorë…

30 vjet shofere në ndërmarrjen e grumbullimit

Ndërsa vitet kanë kaluar dhe Dusha është në pension ajo i kujton me nostalgji vitet e punës në timon.

Tek bisedojmë me të si shoferen e parë në Tropojë që tashmë është një pensioniste  70 vjeçare ajo rrëfen me nostalgji kohën kur me Zisin e saj dilte duke punuar edhe diteve të diela nëpër rrugët e bjeshkëve në baxhot e grumbullimit.

Unë kam punuar 30 vjet në grumbullim me të njëjtën makinë, thotë Dusha për Shekullin.

“Kur e kam dorëzuar në fillimin e viteve 90 kam qarë si fëmijë. Për gjithë ato vite pune asnjë pagë tepër nuk kam marrë. Madje çdo vit kërkoja të më jepnin një makinë të re por asnjeherë kërkesa ime nuk u mor në konsideratë. Makinën e kam dorëzuar në gjendje pune pasi kisha punuar gjitha ato vite me të njëjtin automjet”.

Nostalgjia për zanatin

Dusha tashmë ngrys vitet e pleqerisë së bashku me bashkëshortin e saj në fshatin Fushe-Lumi të komunës Margegaj. Ka 25 vjet që s’ka drejtuar timon automjeti ,por shpeshherë të rinjtë dhe të rejat e fshatit mësojnë tek ajo të fshehtat e zanatit.

Po nuk e deshe zanatin nuk e ushtron dot, thotë Dusha.

“Unë e kam dashtë zanatin dhe ai ma ka shpërblyer. Asnjë gërvishtje për 30 vjet nuk ia kam berë automjetit tim një Gaz -51 se skishte të tjera atë kohë. Aksidentet e shumta ndodhin nga pakujdesia e drejtuesit të automjetit por ka të bëjë edhe të mësuarit e zanatit”.

“Dëgjoj boritë dhe zhurmat e makinave e me kujtohen vitet e rinisë së hershme kur me shikonin me medyshje e shume syresh edhe nuk flisnin pasi unë kisha thyer tabute zakonet e egra të kanunit”, përfundon bisedën e saj shoferja e parë tropojane Dushe Doci. (Shekulli)

a