Shkruan Mero Baze: Mos e humbisni shansin të njihni Albin Kurtin e vërtetë!

Në Kosovë ka shpërthyer një debat rreth emrit të një kandidati për ambasador nga Kosova në Shqipëri. Debatet kanë të bëjnë me figurën dhe historinë e qëndrimeve politike të tij.

Opinion

02/09/2021 08:32

Nuk është se ato vlejnë shumë. Ambasadorë të tjerë të Kosovës në Shqipëri nuk është se kanë shkëlqyer në formimin intelektual, apo atë profesional. E vërteta është se ky është një njeri banal, por as për këtë nuk është zgjedhur.

Personi në fjalë, nuk është mbështetës i Albin Kurtit, por i Listës “Guxo” të Vjosa Osmanit, i cili karakteristikën më të njohur të tij, nuk ka atë që është budalla, apo njeri primitiv, por që është një propagandist banal dhe urrejtës i qeverisë së Tiranës.

Kjo është arsyeja përse është përzgjedhur. Ndaj dhe kjo është e vetmja gjë për të cilën i vlen Albin Kurtit.

Meqë vet Albin Kurti është shumë i ekspozuar në përpjekjet për të ngjallur ndasi mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe agjendën e tij ditore politike e ka në funksion të sherreve me Tiranën, në këtë rast ka gjetur mundësinë ta hedhë dhe një gur me dorën e Vjosa Osmanit.

Ajo që shpresojnë Kurti dhe Osmani, është pikërisht të ngrihet një zhurmë e madhe rreth një idioti, duke shpresuar që ai të refuzohet si ambasador nga Shqipëria dhe të regjistrohet një shkallë zyrtare e acarimit mes dy vendeve. Kaq është i gjithë objektivi.

Asgjë e tillë nuk duhet të ndodhë dhe nuk do të ndodhë. Ambasadori i Kosovës në Shqipëri është njeriu më i parëndësishëm i Kosovës në Shqipëri dhe kosovari më i parëndësishëm i Shqipërisë për Kosovën. Kështu ka qenë gjithmonë.

Ai mund të përfitojë nga rasti të shijojë Tiranën, bregdetin, qebapë apo peshk, dhe të vazhdojë të marrë rrogën.

Albin Kurtit nuk i duhet hequr mundësia të promovojë idetë e tij kundër Shqipërisë zyrtarisht, edhe pse natë e ditë mendon vetëm për këtë punë.

Mendoj se është rast i mirë që ai të përfaqësohet nga një tip i tillë në Tiranë. Është shumë më e lehtë t’u shpjegosh shqiptarëve të Shqipërisë se kush është Albin Kurti dhe çfarë kërkon të bëjë, duke u përfaqësuar prej tij.

Përveç mjerimit intelektual dhe primitivizmit verbal, opinioni këtu e ka më të lehtë të zbulojë një urrejtës që ndryshe nga Albini, nuk ka turp t’i thotë ato që mendon Albini me zë të lartë.

Ndaj ndaleni zhurmën rreth tij. Nuk është nevoja t’i kujtoni kush është e çfarë ka bërë. Lëreni të vijë në Tiranë dhe nxirreni përditë në ekran të flas.

Është e vetmja mënyrë të njihni Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin në raport me Shqipërinë. Natyrisht në versionin më primitiv të mundshëm.