Shkollimi i hershëm, luks në Kosovë
Vetëm 6.7 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç në Kosovë ndjekin edukimin e hershëm në çerdhe, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, jetojnë rreth 130.000 fëmijë të kësaj moshe, ndërsa funksionojnë 49 çerdhe publike dhe 177 private. Numri i këtyre institucioneve parashkollore,…
Lajme
Vetëm 6.7 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç në Kosovë ndjekin edukimin e hershëm në çerdhe, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, jetojnë rreth 130.000 fëmijë të kësaj moshe, ndërsa funksionojnë 49 çerdhe publike dhe 177 private.
Numri i këtyre institucioneve parashkollore, në raport me nevojat, duket se është i pamjaftueshëm.
“Sa herë kam shkuar të interesohem për t’i regjistruar fëmijët në çerdhe [publike], më kanë thënë se nuk ka vend”, thotë për Radion Evropa e Lirë Xhavit Hasani, baba i dy fëmijëve, nga Fushë Kosova.
“Njërin fëmijë e kam regjistruar në një kopsht privat, tjetri ka qëndruar në shtëpi, nën përkujdesjen e familjes”, thotë ai, duke shtuar se nuk ka mundur të përballojë çmimin për të dy.
Në familjen 4-anëtarëshe të Hasanit, punon vetëm ai.
Komuna e Fushë Kosovës, me afro 34.000 banorë, ka vetëm një çerdhe publike.
Pagesa mujore në çerdhet publike është 40 deri në 50 euro, ndërsa në ato private varion nga 80 deri në 250 euro.
Ngjashëm si Fushë Kosova, ose më keq, janë edhe disa komuna të tjera.
Ajo e Deçanit, me 40.000 banorë, nuk ka asnjë çerdhe publike për fëmijë.
Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Besnik Hulaj, thotë se atje gjendet një çerdhe publiko-private dhe një private.
Sipas tij, edukimin e hershëm e ndjekin rreth 100 fëmijë.
Me një çerdhe publike është edhe komuna e Hanit të Elezit, e populluar me mbi 9.000 banorë, sipas drejtorit të Drejtorisë për Arsim, Kulturë dhe Sport në këtë komunë, Hisni Luri.
Nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF thonë se nga shërbimet e edukimit të hershëm në Kosovë, përfiton vetëm një shtresë e caktuar e popullatës, që ka një situatë më të favorshme financiare.
Sipas tyre, kapaciteti i institucioneve parashkollore me kosto të përballueshme është i vogël.
“Në mungesë të institucioneve parashkollore publike, funksionon një numër i institucioneve parashkollore private, me tarifa që konsiderohen si barrë relativisht e rëndë për familjet e Kosovës me të ardhura mesatare mujore”, thotë Bukureza Surdulli, hulumtuese në KOMF.
Paga mesatare bruto në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, është rreth 480 euro në muaj.
Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja, i cili udhëheq Institutin EdGuard në Prishtinë, thotë se mungesa e më shumë çerdheve publike, ia ka pamundësuar një numri të madh të fëmijëve edukimin e hershëm.
Ai thotë se këta fëmijë, në njëfarë mënyre, “janë diskriminuar nga shteti”, pasi familjet e tyre nuk kanë mundur të përballojnë çmimin e çerdheve private.
“Me këtë nivel të ulët të përfshirjes së fëmijëve në edukim të hershëm, ka padrejtësi – në veçanti për fëmijët në zonat rurale. Institucionet shtetërore duhet të garantojnë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët”, thotë Qehaja.
Ekspertë të arsimit, më herët, kanë ngritur dilema edhe për cilësinë e edukimit që ofrohet në institucionet ekzistuese parashkollore, për shkak të mbipopullimit të tyre.
Për këtë çështje, Kosovës i është tërhequr vërejtja edhe nga Komisioni Evropian, në raportin e progresit për këtë vit.
Sipas këtij raporti, pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin dhe kujdesin parashkollor -mosha nën 5 vjeç – mbetet e ulët.
Kjo është një vërejtje që është përsëritur disa vite radhazi nga Komisioni Evropian.
Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka shprehur po ashtu shqetësim për, siç ka thënë, pjesëmarrjen e ulët të fëmijëve kosovarë në edukimin e hershëm.
Në një studim të publikuar vitin e kaluar, ky fondacion ka theksuar se edukimi i hershëm është një periudhë kruciale për zhvillimin njohës, shoqëror, emocional dhe fizik të fëmijës.
Sipas UNICEF-it, fëmijët që ndjekin së paku një vit të edukimit parafillor kanë më shumë gjasa të zhvillojnë shkathtësi kritike, që do t’iu nevojiten për të pasur sukses në shkollë.
Çfarë thonë nga institucionet?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi të mëhershëm në rrjetet sociale, ka thënë se me buxhetin shtetëror të vitit 2023, që kap vlerën e 3.2 miliardë eurove, është planifikuar ndërtimi i 11 çerdheve.
Nuk është e qartë se ku dhe kur do të mund të funksionalizohen ato.
Ministria e Arsimit nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të mund të krijojë kushte për përfshirjen e më shumë fëmijëve në edukim të hershëm, vitin e ardhshëm.
Megjithatë, në strategjinë e saj për arsim – që është publikuar në tetor dhe mbulon periudhën e ardhshme pesëvjeçare – edukimi i hershëm nxirret si shtyllë e parë.
Në këtë dokument pranohet se pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin e hershëm në Kosovë është në nivel shumë të ulët, si pasojë e mungesës së infrastrukturës.
Aty thuhet se fëmijët në zonat rurale janë të përfshirë në edukimin e hershëm tri herë më pak se bashkëmoshatarët e tyre në zonat urbane.
Kjo dukuri, pastaj, ka edhe efekt zinxhiror, duke ndikuar në pjesëmarrje më të vogël të grave në tregun e punës, pasi përgjegjësitë e kujdesit për fëmijë bien kryesisht mbi to.
“Edukimi i hershëm cilësor, përveçse u mundëson fëmijëve të përgatiten më mirë dhe të shënojnë rezultate më të mira më vonë në shkollë, ndikon edhe në uljen e pabarazisë në shoqëri”, ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë publikimit të strategjisë për arsim.
Po në tetor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për edukimin në fëmijëri të hershme.
Me këtë projektligj, shkollimi parafillor i fëmijëve nga mosha 5 vjeçe pritet të bëhet i obligueshëm, nisur nga viti i ri shkollor 2023-2024.
Tash për tash, me ligjin në Kosovë, i obligueshëm është vetëm shkollimi fillor, përkatësisht nga klasa e parë deri në të nëntën.