SHKK pezullon nga puna zyrtarin korrektues të Burgut të Dubravës, i akuzuar për marrje ryshfeti nga një i burgosur

Shërbimi Korrektues i Kosovës, me vendim të Komisionit Disiplinor të datës 14 korrik 2026, ka pezulluar përkohësisht nga marrëdhënia e punës zyrtarin korrektues me inicialet D.Q, që punonte në Qendrën Korrektuese të Dubravës. Ata kanë thënë se vendimi është marrë pas inicimit të procedurës disiplinore për dyshim për shkelje të rëndë disiplinore dhe do të…

Lajme

14/07/2026 17:51

Shërbimi Korrektues i Kosovës, me vendim të Komisionit Disiplinor të datës 14 korrik 2026, ka pezulluar përkohësisht nga marrëdhënia e punës zyrtarin korrektues me inicialet D.Q, që punonte në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Ata kanë thënë se vendimi është marrë pas inicimit të procedurës disiplinore për dyshim për shkelje të rëndë disiplinore dhe do të mbetet në fuqi deri në marrjen e vendimit tjetër.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit, ruajtjen e integritetit institucional dhe trajtimin me seriozitet të çdo rasti që dyshohet për shkelje të detyrave zyrtare, duke respektuar njëkohësisht prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të organeve kompetente”, thuhet në komunikatë.

Ndaj tij, dje Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë nën dyshimet se ka marrë ryshfet nga një i burgosur.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri D.Q, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, dyshohet se ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria, me qëllim që të vepronte në përputhje me detyrën e tij zyrtare, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë”, ka thënë dje Prokuroria në Pejë.

Prokurori i çështjes, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.

“Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës, përveç shqiptimit të dënimit penal, edhe shqiptimin e dënimit plotësues “ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: