Shkencëtarët: Pacientët duhanpirës me koronavirus rrezikojnë për kujdes intenziv

16:26 | 26 Mars 2020

Duhanpirësit përballen me një rrezik më të madh për të pësuar komplikime të rënda nga koronavirusi, sipas hulumtimit.

Akademikët kinezë gjetën se një e katërta e pacientëve të infektuar që kishin nevojë për kujdes të shtaur mjekësor ose vdiqën ishin duhanpirës, raporton tabloidi britanik ‘Daily Mail’, transmeton lajmi.net.

Në të kundërt, vetëm 11 përqind e pacientëve me simptoma të lehta si kolli dhe ethet e pinin rregullisht duhanin.

Një studim tjetër nga ekspertë në Wuhan – ku filloi pandemia – gjithashtu zbuloi se konsumuesit e duhanit kishin më shumë gjasa të pësojnë rëndim të gjendjes shëndetësore.

Por një ekip tjetër nga qyteti kinez demantoi studimet e mësipërme, duke thënë se duhanpirësit kishin më pak të ngjarë të kapnin virusin vdekjeprurës në radhë të parë.

Rregullatori shëndetësor i BE sot tha se pirja e duhanit mund t’i bëjë njerëzit më të ndjeshëm ndaj komplikimeve serioze nga infeksioni COVID-19. /Lajmi.net/