Shkëlzen Jusaj president i Komunitetit të Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane, nis një epokë e re organizimit
Më 24 mars 2026 është themeluar zyrtarisht Komuniteti i Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS), një organizatë e re që synon të bashkojë profesionistë dhe kompani të dëshmuara nga Kosova dhe diaspora, në një kohë kur strukturat e mëparshme janë përballur me akuza serioze për keqmenaxhim dhe shkelje ligjore. Që në ditët e para, KGS ka shënuar një…
Lajme
Më 24 mars 2026 është themeluar zyrtarisht Komuniteti i Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS), një organizatë e re që synon të bashkojë profesionistë dhe kompani të dëshmuara nga Kosova dhe diaspora, në një kohë kur strukturat e mëparshme janë përballur me akuza serioze për keqmenaxhim dhe shkelje ligjore.
Që në ditët e para, KGS ka shënuar një mobilizim të shpejtë: brenda katër ditësh ka arritur të mbledhë 45 anëtarë, ndërsa në Kuvendin themelues kanë marrë pjesë 30 prej tyre. Strukturat drejtuese janë zgjedhur me votim unanim, duke reflektuar një konsensus të plotë mes themeluesve.

Shkëlzen Jusaj (Petrol Company) – President i organizatës dhe Kryetar i Bordit
• Shpend Luzha – Anëtar i Bordit (Banka Ekonomike)
• Emine Daci-Zejnullahi – Anëtare e Bordit (Bio 365 Kosova)
• Florin Lata – Anëtar i Bordit (Zyra e Avokaturës Vokshi & Lata)
• Armend Malazogu – Anëtar i Bordit (Cacttus dhe sektori i agrobiznesit)
Krijimi i kësaj organizate erdhi si rezultat i dështimit të strukturave të mëparshme të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Gjermani, duke pasur ndikim edhe në zhvillimin e aktiviteteve të degës në Kosovë. Ky dështim është reflektuar në keqpërdorimin e buxhetit të anëtarëve në Gjermani, uzurpimin e llogarive bankare të degës në Kosovë, si dhe menaxhimin e papërgjegjshëm të mjeteve financiare.
Gjithashtu, strukturat drejtuese në Gjermani kanë ushtruar funksionet në mënyrë ilegale për më shumë se dy vite e gjysmë me mandate të skaduara, duke marrë vendime të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat e anëtarëve. Shpenzimet e larta për menaxhim dhe përdorimi i burimeve të organizatës për qëllime personale kanë dëmtuar rëndë besimin dhe funksionimin e organizaës së mëparshëm.
Në anën tjetër, dega e Unionit të Bizneseve Shqiptaro- Gjermane në Kosovë ka dëshmuar efikasitet të lartë, duke realizuar aktivitete dhe donacione brenda një muaji që tejkalojnë ndjeshëm performancën shumëvjeçare të strukturave qendrore.
Prandaj, me kërkesë të anëtarëve në Kosovë dhe Gjermani, është parë e domosdoshme themelimi i një organizate të re, transparente dhe profesionale – Komuniteti i Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS), i cili së shpejti do të zgjerohet me degë në Gjermani dhe Zvicër.

Njëkohësisht, njoftojmë të gjithë anëtarët dhe ish-anëtarët e organizatave të mëparshme se Komuniteti i Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS ),do të vazhdojë të ofrojë shërbime pa pagesë deri në përfundimin e procesit të anëtarësimit, duke garantuar vazhdimësi me të njëjtin staf dhe rrjet kontaktesh.
Ftojmë të gjithë bizneset dhe profesionistët që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi dhe sukseseve të përbashkëta, që të bashkohen me ne.
Gjithashtu, së shpejti do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi me rrjetin global të bizneseve dhe të tjera, duke siguruar qasje në kontakte dhe komunikim me bizneset e diasporës në mbarë botën.
Misioni dhe Vizioni i Organizatës Komuniteti i Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS)
Presidenti prezantoi këto parime themelore:
Organizata është dhe do të mbetet jopolitike, duke përfaqësuar interesat e anëtarëve në mënyrë të drejtë dhe profesionale.
Respektimi i plotë i përkatësive politike, fetare dhe personale të çdo anëtari.
Ndërlidhja dhe organizimi i takimeve ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe diasporë.
Mbështetje dhe këshillim profesional për të gjithë anëtarët.
Hartimi i propozimeve për:
o zhvillimin profesional të kuadrove sipas kërkesave të tregut;
o rregullimin e tregut dhe standardizimin e hapjes së bizneseve sipas standardeve evropiane;
o përmirësimin e ligjit për investime strategjike dhe politikave fiskale për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Përshpejtimi i zhvillimit të zonave ekonomike dhe industriale.
Aktivizimi i potencialeve strategjike, si Trepça, për rritje të punësimit dhe të ardhurave shtetërore.
Ulja ose heqja e akcizës së naftës për sektorët kyç, si bujqësia, industria dhe transporti i rëndë, me mekanizma të rreptë kontrolli.
Reforma fiskale për TVSH-në dhe trajtimin e borxheve të këqija, duke lehtësuar likuiditetin e bizneseve.
Njohja e humbjeve në mallra sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Rishikimi i politikave kufizuese bankare për rritjen e kreditimit dhe uljen e kostos financiare për bizneset.
Organizimi i aktiviteteve B2B, seminareve dhe panaireve në Kosovë dhe diasporë.
Informimi dhe trajnimi i anëtarëve për përfitimin nga fondet dhe programet ndërkombëtare./Lajmi.net/


