Shkeljet nuk do të amnistohen

Presidentja Atifete Jahjaga, thotë se kredibiliteti i zgjedhjeve lokale tregon përgjegjshmërinë se vota është e lirë, se garantohet dhe nuk mund të manipulohet. Ajo thotë se asnjë shkelje nuk është e amnistuar dhe nuk do të amnistohet gjatë këtij procesi.

Lajme

25/10/2013 08:40

Presidentja Atifete Jahjaga thotë se zgjedhjet e 3 nëntorit janë një test për demokracinë dhe rrugën europiane të Kosovës.

Në një intervistë për DW Jahjaga thotë se është shumë me rëndësi që të kemi zgjedhje demokratike dhe të lira, zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe proces të ndershëm.

“Kosova i ka krijuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm për të siguruar paprekshmërinë e secilës votë”.

“Kredibiliteti i këtyre zgjedhjeve tregon përgjegjshmërinë se vota është e lirë, se garantohet dhe nuk mund të manipulohet. Dua ta ritheksoj se asnjë shkelje nuk është e amnistuar dhe nuk do të amnistohet gjatë këtij procesi”.

“ Ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse për herë të parë zgjedhjet mbahen në të gjithë territorin e Kosovës, pra edhe në katër komunat e veriut. Është shumë e domosdoshme që të kemi një pjesëmarrje masive në zgjedhje dhe unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre themelore – të marrin pjesë në zgjedhje”.

“Këto janë zgjedhje për Kosovën, për qytetarët e Kosovës dhe për të ardhmen e përbashkët. Pra, këto janë zgjedhje të cilat do ta përcaktojnë të ardhmen e Kosovë dhe do të kontribuojnë në integrimin e mëtejshëm të komuniteteve, në veçanti të komunitetit serb, i cili deri tani nuk ka mundur t’i marrë benefitet duke qenë viktimë e strukturave të caktuara në atë pjesë”.

Presidentja Jahjaga, në vijim të kësaj intervistë, është shprehur kundër ndarjes së Kosovës.

“ Nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka shkëmbim territoresh apo shkëmbim të popullsisë”.

“Kosova është shtet i pavarur, sovran, me territor të garantuar territorial, shtet i njohur nga më shumë se 100 vende anëtare të OKB”.

“Kosova ka vendosur me një numër të konsiderueshëm të vendeve marrëdhënie bilaterale. Ndaj asnjë proces nuk do të kthehet mbrapa por do të lëvizin përpara. Në Kosovë nuk ka bashkëqeverisje apo bashkë-organizimin me askënd tjetër”.