Shkelet Ligji për Kontrollin e Duhanit në Kosovë (Foto)
Të gjitha reklamimet, promovimet dhe sponzorimet e duhani janë të ndaluara me Ligjin për Kontrollin e Duhanit në Kosovë.

Lajme
Por, ky Ligj nuk po zbatohet.
Në një nga dyqanet, një prodhues duhani ka zgjedhur një mënyrë për të bërë reklamimin e duhanit, raporton lajmi.net.
Në mbajtësen e parave, që përdoret nga shitësit, është vendosur fleta me çmimet e duhanit.
Ligji për Kontrollin e Duhanit thotë se me synim të mbrojtjes së shëndetit publik, të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit, me këtë ligj përcaktohen masat për ndalimin, kufizimin e përdorimit të produkteve të duhanit, përbërësve të duhanit, parandalimin e pasojave të dëmshme nga përdorimi i produkteve të duhanit dhe mbikëqyrjen për zbatimin e ligjit.
Për të arritur qëllimin e ligjit përcaktohen masa për të:
2.3. eliminuar nxitjet për pirjen e duhanit të cilat krijohen nga reklamimi, duke i ndaluar të gjitha reklamat, promovimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta;
Neni 8
Ndalimi i reklamimit, promovimit dhe sponzorimit të produkteve të duhanit
- Ndalohen të gjitha reklamat, promovimet, sponzorimet vendore dhe ndërkufitare të ngjarjeve ose aktiviteteve dhe asnjë person, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nuk lejohet të:
1.1. nxisë asnjë formë të reklamimit, promovimit dhe sponzorimit;
1.2. prodhojë, publikojë, apo të ofrojë qasje në çfarëdo reklame, promovimi, ose sponzorimi;
1.3. përfshihet apo të marrë pjesë në ndonjë reklamë, promovim, ose sponzorim si media apo organizator i ngjarjeve, person i famshëm apo pjesëmarrës tjetër, si pranues i çfarëdo kontributi sponzorues, ose si ndërmjetës që lehtëson ndonjë kontribut të tillë duke përfshirë edhe çdo komunikim komercial, veprim apo praktikë që promovon apo mund të promovojë ndonjë prodhues të duhanit, shitës me shumicë, ose importues drejtpërdrejt apo indirekt.
- Ndalohen të gjitha reklamat, promovimet dhe sponzorimet e duhanit të sponzoruara dhe të iniciuara nga ndonjë shtetas i huaj apo vendi në territorin e Republikës së Kosovës.
- Ndalohet reklamimi i produkteve të cilat sipas këtij ligji nuk janë produkte të duhanit por me dukjen e tyre, emërtimin dhe qëllimin e përdorimit, nxisin përdorimin e produkteve të duhanit.
- Ndalohet dhurimi i produkteve të duhanit nga subjektet që i prodhojnë, i importojnë dhe i tregtojnë ato.
- Ndalohet sponzorimi i programeve në mediat e shkruara dhe elektronike, ngjarjeve apo aktiviteteve nga prodhuesit apo importuesit e produkteve të duhanit me qëllim të nxitjes së fshehtë apo të hapur të përdorimit të produkteve të duhanit.
- Reklamimi në pajtim me këtë nen nuk përfshin këto njoftime:
6.1. për çmimet e fituara dhe njohjeve tjera publike për cilësinë e disa produkteve, sukseset e punës, sukseset prodhuese dhe të tjera, që janë arritur gjatë prodhimit të produkteve të duhanit, por pa emërtimin e cituar të produktit nga prodhuesit dhe importuesit e produkteve të duhanit nëpërmjet mediave;
6.2. gjatë mbajtjes së panaireve të specializuara dhe ekspozitave në hapësirën e panairit ose ekspozitës, kohës së ekspozimit të produkteve të reja, e cila organizohet në hapësirë të mbyllur;
6.3. për cilësinë dhe karakteristikat tjera të produkteve të duhanit të publikuara në librat profesional, revistat dhe botimet tjera profesionale që janë të destinuara veçmas për prodhuesit dhe importuesit e këtyre produkteve;
6.4. për karakteristikat tjera të produkteve të duhanit që konsumatorët mund të marrin në objektet ku bëhet shitja e produkteve të duhanit, në pajtim me ligjin. /lajmi.net