Shkarkimi i Jabllanoviqit do të ishte shembull për zyrtarët e tjerë serbë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka thënë se dhuna në protestat e fundit në Prishtinë duhet të kuptohet si një mbledhje e zemërimit në masë të madhe.

Lajme

02/02/2015 22:01

Duke folur në Klan Kosova, Osmani ka thënë se mënyra se si e sheh ajo situatën është se në protestat e fundit nuk ka pasur vetëm përkrahës të opozitës, por edhe njerëz që janë mllefosur me situatën në Kosovë.

“Ka aq shumë pakënaqësi të akumuluara, sidomos gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit, dhe është ditur se dikur këtë zemërim do e shpërthejnë dikur”, ka thënë Vjosa Osmani për të shtuar më vonë se ‘zemërimi i qytetarëve në Kosovë është një lloj bombe para shpërthimit’, transmeton Indeksonline.

Deputetja e LDK-së ka thënë mënyra se si është menaxhuar çështja Jabllanoviq ka qenë jo e duhura dhe kjo ka çuar deri te protestat e dhunshme.

Ajo ka thënë se në raste të tilla qeveria dhe në radhë të parë kryeministri duhet të tregojë fuqinë e vet.

“Shkarkimi i tij (Jabllanoviqit) do të jepte shembull edhe për zyrtarët e tjerë serbë që të përmbahen nga deklarimet e tyre”, ka thënë Osmani.

Osmani thotë se koalicioni qeverisës PDK-LDK duhet të bëhet gati për zgjedhje të jashtëzakonshme. Ajo sërish shpreh pakënaqësinë e saj lidhur me hyrjen në koalicion me PDK-në.

“Ky koalicion duhet të bëhet gati për zgjedhje të jashtëzakonshme. PDK në qeveri nuk është mirë për Kosovën. Ky është mendimi im dhe besoj se jam votuar nga elektorati i LDK-së që ta them këtë gjë”, ka thënë Osmani.

Gjatë kësaj interviste, ajo nuk e pohoi por as mohoi kandidimin për kryetare të LDK-së. Sipas saj, LDK ka nevojë të shpëtohet dhe këtë shpëtim partisë së saj mund t’ia sigurojnë vetëm delegatët e saj.

Vjosa tha se është ende herët të flasë për një kandidaturë të saj për postin e kryetares së partisë.