Shfaqet epidemia e verdhëzës në Shkup

Epidemia e sëmundjes ngjitëse - verdhëzës është shpallur në të gjithë territorin e qytetit të Shkupit. Epidemia u shpall nga Qendra e Shëndetit Publik, për shkak të rritjes së numrit të të sëmurëve, i cili deri tani sillet afro 66 persona.

Lifestyle

23/08/2014 21:03

Vetëm në 10 ditët e fundit janë paraqitur 21 raste. Më shumë të sëmurë ka në Shuto Orizare, Karposh, Çair dhe Qendër. Numri më i madh i tyre, përkatësisht 23 fëmijë, janë të moshës nga 3 deri në 14 vjeç. Ka mundësi që epidemia të jetë pasojë e shirave intensive, grumbullimit të ujërave atmosferike dhe derdhjes së tyre në rrjetet e kanalizimit, duke sjellë më shumë ndotje në komunat që ende i kanë të hapura ose pa pastruara kanalet. 

“Bëhet fjalë për sëmundje akute infektive, që njihet si sëmundja e duarve të papastra, pasi në fakt ajo transmetohet nëpërmjet duarve të papastra por mund të bartet edhe nëpërmjet ushqimit dhe ujit”, tha Liljana Lazareska, Qendra e Shëndetit Publik në Shkup.

Nga 66 të sëmurët, 40 janë duke u kuruar në Klinikën për Sëmundje infektive. Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme. Autoritetet i tremben përhapjes më të gjerë të epidemisë, sidomos pas kthimit të fëmijëve nga pushimet verore dhe rikthimit të tyre nëpër shkolla. Mjekët bëjnë apel në rritjen e masave sanitare higjienike, jo vetëm në shtëpi, por edhe në ambientet publike.

/Alsat/