Sheshi “Zahir Pajaziti” në shërbim të sigurisë, qytetarët takojnë heronjtë e përditshëm
Në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, zjarrfikësit e Kosovës u kanë mundësuar qytetarëve të kryeqytetit që të shohin nga afër pajisjet e tyre, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Në këtë ditë të tyre, ata shprehën edhe kërkesa për mbështetje më të madhe institucionale. Drejtori i zjarrfikësve, Malë Gashi, tha se kjo ditë nuk është festë,…

Lajme
Në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, zjarrfikësit e Kosovës u kanë mundësuar qytetarëve të kryeqytetit që të shohin nga afër pajisjet e tyre, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Në këtë ditë të tyre, ata shprehën edhe kërkesa për mbështetje më të madhe institucionale.
Drejtori i zjarrfikësve, Malë Gashi, tha se kjo ditë nuk është festë, por ditë për t’u përkujtuar të gjithë ata që kanë humbur jetën gjatë punës së tyre.
Gashi tha se investimi në këtë shërbim ka të bëjë me ruajtjen e jetës së njerëzve e jo investim individual.
“Nuk është festë, është ditë për të përkujtuar dhe nderuar zjarrfikësit që kanë humbur jetën, jo vetëm ata, por edhe sakrificën e përditshme që japin ata. Të gjithë ata që kanë kontribuar në shërbimin e zjarrfikjes… mundet me u bë shumë më shumë, por jam i sigurt që ky shërbim do arrijë ditën e vet aty ku e meriton, edhe pse në të kaluarën nuk ka qenë aty ku e meriton, qoftë në shoqëri apo institucione. Investimi në këtë shërbim nuk ka të bëjë për individin, por me ruajtjen e jetës së njerëzve,” tha Gashi.
Ndërsa, një zjarrfikës, Behar Shala, shtoi se ata kanë shumë sfida përpara, prandaj kanë nevojë për mbështetje.
“Zjarrfikësit gjithmonë kanë nevojë për mbështetje… Kemi shumë sfida përpara që t’i përcjellim përvojat tona tek ata. Sa i përket kushteve të tjera, çdo herë zjarrfikësi ka nevojë edhe për teknologji të re, sepse është avancuar shumë,” shtoi Shala.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, u shpreh se komuna ka investuar në ta, duke sjellur fizioterapistë dhe nutricistë, duke u mundësuar shujta ditore dhe duke porositur pajisje të reja për ta.
Rama kërkon që niveli qendror të punësojë dhe 44 zjarrfikës të rinj pasi që ka nevojë për ta.
“Zjarrfikësit tanë janë 24 orë në ditë, 365 ditë në vit, janë të gatshëm që t’i ndihmojnë qytetit tonë, qytetarëve, vendit tonë. Ne si kryeqytet kemi bërë investime të shumta tash, p.sh. mendoj që zjarrfikësit tanë duhet të jenë sa më të gatshëm, dhe ne duhet t’i mbrojmë mirëqenien e tyre. Për herë të parë kemi organizuar fizioterapistë dhe shujta ditore, që me pasë një pikë ndihmëse për ta. Në buxhetin tonë kemi buxhetuar edhe për pajisje të reja, si kamiona sulmues dhe pajisje të tjera për mirëqenien e tyre. Kërkoj që të kemi iniciativë nga niveli qendror, për zjarrfikës të rinj, të cilëve u ka munguar, zjarrfikës të rinj, janë 26 të rinj shtesë, por mungojnë edhe 44 të tjerë,” u shpreh Rama.
Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë qytetarët mund të shohin pajisjet e shumta të tyre dhe të pyesin rreth punës së tyre.