Shërbimi Korrektues i pakënaqur me raportin për burgjet

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), ka reaguar të premten lidhur me raportin e monitorimit të qendrave korrektuese dhe të paraburgimit të përgatitur nga Grupi Punues i Mekanizmit Kombëtar për parandalimin e torturës.

Lajme

27/06/2014 14:30

SHKK ka njoftuar se nuk i është dërguar asnjë raport lidhur me të gjeturat dhe rekomandimet në dy qendrat korrektuese në Dubravë dhe në Lipjan, të cilat sipas Grupit Punues nuk i plotësojnë shumë nga kushtet që kërkohen me standarde ndërkombëtare të të drejtave të të burgosurve.  

Sipas një komunikate të Ministrisë së Drejtësisë, shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) si organ përgjegjës për burgjet, në takimin e mbajtur një ditë më parë, të organizuar nga Grupi Punues i Mekanizmit Kombëtar për parandalimin e torturës, njofton se nuk është shpërndarë dhe as dërguar asnjë raport lidhur me të gjeturat dhe rekomandimet pas vizitave monitoruese të bëra në dy qendrat korrektuese në Dubravë dhe në Lipjan.

“Në rastin konkret, Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Shërbimi Korrektues, shpreh shqetësimin lidhur me prononcimet e përgjithësuara për dhjetë institucionet e SHKK-së, duke pasur parasysh që vizitat janë bërë në dy qendra korrektuese me tri pavijone. Prononcime të tilla i shkaktojnë dëm këtyre institucioneve dhe krijojnë opinion negativ si te të burgosurit, ashtu edhe te qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Shërbimi Korrektues, ndër të tjera njofton opinionit publik se memorandumi i bashkëpunimit në mes të SHKK-së dhe OJQ-ve, është shkelur nga vet përfaqësuesit e tyre duke mos ua dhënë hapësirën që fillimisht t’i kenë këto rekomandime dhe pastaj t’i përgjigjen atyre”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me këtë çështje SHKK do të shqyrtojë veprimet e ndërmarra dhe ato të mëtutjeshme.