Shërbim civil unik apo i fragmentuar?

Bazuar në lajmet e publikuara nga disa mediume rreth eventualitet të cenueshmërisë së pavarësisë së institucioneve nga Qeveria sa i përket standardizimit dhe unifikimit të vendeve të punës në shërbimin civil të Republikës si dhe thënies se Qeveria ka nisur të hakmerret për këtë çështje, për opinionin e gjerë, më lejoni të ofroj disa sqarime rreth shërbimit civil në Kosovë dhe për zhvillimet në këtë fushë të rëndësishme për funksionimin e shtetit.

Opinion

30/10/2015 15:36

Fillimisht, parashtrohet pyetja nëse dëshirojmë të kemi një shërbim civil unik apo të fragmentuar në administratën publike? Kjo pyetje ngërthen në vete dy qasje të kundërta konceptuale sa i përket rregullimit të së ardhmes së administratës publike, gjegjësisht shërbimit civil në Kosovë. Qasja e parë, pra shërbimi civil unik, nënkupton nevojën e zbatimit të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe të Ligjit Nr. 03/L-147 për Pagat e Nëpunësve Civilë. Alternativa e dytë mund të jetë fragmentimi i shërbimit civil dhe laramania në trajtimin e zyrtarëve nga aspekti i menaxhimit të burimeve njerëzore, varësisht se cilit institucion i takojnë.

Sa i përket qasjes së parë dhe në kuadër të procesit të reformës së administratës publike, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar t’i zbatojë këto dy ligje. Prandaj, Ministria e Administratës Publike është duke i realizuar hapat konkretë në këtë drejtim, sikurse klasifikimin e të gjitha vendeve të punës në shërbimin civil, zbatimin e katalogut të vendeve të punës së nëpunësve civilë dhe aplikimin e sistemit për menaxhimin e informatave të burimeve njerëzore.

Për qartësim, neni 1 i Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës se Kosovës përcakton se “ky ligj rregullon statusin e nëpunësve civilë, si dhe marrëdhënien e tyre të punës në institucionet e administratës qendrore dhe komunale” dhe se “për qëllim të këtij ligji, institucionet e administratës qendrore dhe komunale, që hyjnë në fushën e veprimit të këtij ligji përfshijnë: administratën e Kuvendit, administratën e Presidencës, Zyrën e Kryeministrit dhe ministritë, agjencitë ekzekutive, agjencitë e pavarura dhe ato rregullatore dhe administratën komunale”. Për më tepër dhe me të njëjtën dispozitë, përcaktohet që “institucionet e administratës qendrore, të cilat rregullohen me ligj të posaçëm, do t’u nënshtrohen dispozitave të këtij ligji, përveç rasteve kur ligji i posaçëm përmban dispozita të ndryshme nga ai”.

Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka aprovuar Katalogun e Vendeve të Punës. Po ashtu, është aprovuar edhe Rregullorja Nr. 05/2012 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Këto dy dokumente i udhëzojnë dhe i ndihmojnë të gjitha institucionet për klasifikimin dhe standardizimin e vendeve të punës si dhe për harmonizimin e përshkrimeve të vendeve të punës që janë të njëjta. Po ashtu, dhe si synim kryesor, është zbatimi i parimit “për punë të njëjtë, pagë e njëjtë” në të gjitha institucionet që kanë të punësuar nëpunës civilë. Nga ky parim udhëhiqet procesi i reformimit të administratës publike nëpërmjet zbatimit të sistemit të ri të pagave për nëpunësit civilë.

Është me rëndësi të theksohet se aktualisht në sistemin e pagave ekzistojnë me mijëra tituj të vendeve të punës që janë të ndryshëm nga emërtimi, që nevojitet të standardizohen dhe të unifikohen. Prandaj, katalogu i vendeve të punës përmban përafërsisht 800 tituj të standardizuar të vendeve të punës në nivel qendror dhe lokal, që janë të grupuar në familje të ndryshme të vendeve të punës. Çdo titull i vendit të punës e ka të vendosur kodin unik, gradën përkatëse, si dhe kualifikimin dhe përvojën e kërkuar sipas legjislacionit për shërbimin civil. Gjithashtu, katalogu përmban edhe përshkrimet e përgjithshme të detyrave të punës për pozitat sipas kategorive funksionale për 14 gradat e sistemit të ri të pagave.

Për më tepër, zbatimi i katalogut të vendeve të punës është edhe një nga çështjet e ngritura nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2014. Kështu, në këtë raport, mes të tjerash, theksohet se “duke pritur përfundimin e katalogut të klasifikimit të vendeve të punës, ka pasur vonesa të mëtejshme në zbatimin e ligjeve mbi shërbimin civil dhe pagat e nëpunësve civilë” dhe se “Kosova duhet ta finalizojë kornizën ligjore për shërbimin civil dhe ta sigurojë zbatimin e tij, në veçanti katalogun e punës dhe vlerësimin e performancës”.

Nga ana tjetër dhe sa iu përket institucioneve të pavarura, më lejoni të ofroj edhe disa sqarime të tjera më specifike. Sa për ilustrim ta marr si shembull personelin e administratës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Përpos dispozitave të lartpërmendura të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, paragrafi 5 i nenit 12 të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës përcakton që “Sekretari i Përgjithshëm emëron dhe shkarkon të punësuarit e Sekretarisë në pajtim me ligjin në fuqi për shërbimin civil. Ndaj të punësuarve të Sekretarisë zbatohen dispozitat ligjore për shërbyesit civilë”. Nga kjo rezulton se edhe ligjet e tyre të veçanta parashohin zbatueshmërinë e legjislacionit për shërbimin civil.

Prandaj, kërkesat tona për konformitet çdoherë kanë pasur për qëllim avancimin e proceseve reformuese të administratës publike, në përgjithësi, dhe zbatimin e ligjeve, në veçanti, si dhe në asnjë rrethanë nuk kanë synuar ngjalljen e ndjesisë së kërcënimit ashtu siç raportojnë mediumet.

Pra, sikurse u theksua më lart, këto veprime janë në përputhje me ligjet në fuqi, me dokumentet strategjike dhe me konkluzionet nga raportet e ndryshme të institucioneve ndërkombëtare në lidhje me reformën e administratës publike. Është e vërtetë se zbatimi i pakos ligjore për shërbimin civil është paksa i vonuar, sidomos ligji që trajton çështjen e pagave të nëpunëseve civile. Por tani jemi në fazën pothuajse përfundimtare të realizimit të këtij detyrimi.

Marrë parasysh sa më sipër, më lejoni të ritheksoj se Qeveria e Republikës së Kosovës, në përgjithësi, dhe/apo Ministria e Administratës Publike, në veçanti, në asnjë mënyrë nuk ndërhyjnë në pavarësinë e menaxhimit të këtyre institucioneve, në vendimmarrjen e tyre në fushat ku ato veprojnë, në organizimin e tyre të brendshëm dhe në politikat e tyre zhvillimore. I vetmi obligim yni, është zbatimi i ligjeve në fuqi dhe krijimi i barazisë në paga, i barazisë në përshkrimin e detyrave të vendeve të punës, në fushën e trajnimeve dhe në ngritjen e efikasitetit në shërbimin civil.

Nga këndvështrimi i alternativës tjetër, shtrohet pyetja si duhet të bëhet interpretimi i Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës? Konkretisht, rezulton dilema se a është administrata e institucioneve të pavarura pjesë e shërbimit civil, si caktohet paga e nëpunësve civilë të këtyre institucioneve dhe cili është organi që mund t’i përcaktojë dhe t’i realizojë këto aspekte të menaxhimit të burimeve njerëzore të shërbimit civil?

Ministria e Administratës Publike është duke punuar në hartimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Shërbimin Civil, me të vetmin qëllim që ligji të jetë sa më i zbatueshëm. Natyrisht, pas konsultimeve publike do të shqyrtohen të gjitha propozimet, dhe pastaj ai do të procedohet për aprovim në Qeveri dhe për miratim në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, përsëri e theksoj, në asnjë mënyrë nuk do të cenohet pavarësia e institucioneve të pavarura. Por, edhe në rastin e ndryshimit të ligjit shtrohet pyetja a dëshirojmë të ndërtojmë shërbim civil veç e veç për degën e ekzekutivit, për degën e legjislativit, dhe për degën e gjyqësorit? Atëherë vijon edhe pyetja për drejtat dhe obligimet e nëpunësve civilë, të cilët a priori janë të barabartë në të gjitha institucionet, me cilat ligje do të rregullohen?

Së fundi, a nënkupton se me kërkesat e institucioneve të pavarura për largimin e nëpunësve të administratës së tyre nga shërbimi civil unik duhet vazhduar paradoksi ku asistenti i drejtorit të zyrës ligjore të një institucioni të pavarur të ketë pagë më të lartë se drejtori i departamentit ligjor të një ministrie? Apo thjesht, dëshirohet të fragmentohet shërbimi civil që në të ardhmen të kemi ligje të veçanta për personelin e administratës së Gjykatës Kushtetuese, të administratës së Institucionit të Avokatit të Popullit, të administratës së Kuvendit, të administratës së Presidencës, të administratës së gjykatave etj.?

(Autori është ministër i Administratës Publike dhe kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës)