Shenoll Muharremi paralajmëron “bombë sociale” në Kosovë: Krizat ekonomike dhe politike mund të çojnë në protesta

Analisti dhe publicisti Shenoll Muharremi ka paralajmëruar se Kosova po përballet me një situatë të rrezikshme, të cilën ai e përshkruan si një “bombë të kurdisur” që mund të shpërthejë për shkak të krizave të shumta politike dhe ekonomike. Sipas Muharremit, rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe naftës, inflacioni i lartë si dhe keqmenaxhimi…

Lajme

11/03/2026 12:45

Analisti dhe publicisti Shenoll Muharremi ka paralajmëruar se Kosova po përballet me një situatë të rrezikshme, të cilën ai e përshkruan si një “bombë të kurdisur” që mund të shpërthejë për shkak të krizave të shumta politike dhe ekonomike.

Sipas Muharremit, rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe naftës, inflacioni i lartë si dhe keqmenaxhimi institucional kanë rënduar ndjeshëm jetën e qytetarëve dhe funksionimin e bizneseve. Ai vlerëson se këta faktorë po krijojnë një presion të madh social dhe ekonomik në vend.

Muharremi thekson se, në vend që të fokusohen në zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve, shumë aktorë politikë vazhdojnë të merren kryesisht me luftë për pushtet dhe kontroll të institucioneve.

Sipas tij, nëse këto sfida nuk adresohen me kohë dhe seriozitet, pakënaqësia qytetare mund të rritet ndjeshëm dhe të shndërrohet në protesta sociale. Një situatë e tillë, paralajmëron ai, mund të rrezikojë jo vetëm stabilitetin ekonomik dhe social, por edhe stabilitetin politik dhe sovranitetin e Kosovës. /Lajmi.net/