Analisti politik Shenoll Muharremi ka komentuar situatën aktuale në Kosovë dhe zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke theksuar se rënia e votave për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) është e domosdoshme për të rikthyer stabilitet dhe funksionimin normal të institucioneve.
Sipas Muharremit, sa më shumë të fitojë LVV, aq më e gjatë dhe më thellë do të jetë bllokada politike dhe kriza në vend, pasi partia aktualisht nuk mund të formojë institucione pa bashkëpunim dhe kompromis me partitë tjera.
“Tash na duhen jo vetëm 61 vota të deputetëve, por 81 për shkak të pozitës së Presidentit të Kosovës. LVV kurrë nuk mundet të fitojë 70%, po as 50%, dhe as 40% më nuk arrin të mbajë,” shkruan analisti, duke u referuar tek trendi i rënies së partisë në sondazhe të fundit, ku mbështetja është në rajonin e 35–37%, transmeton lajmi.net.
Muharremi shton se zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet të përshpejtojnë tranzicionin, dhe një rezultat më modest për LVV do të favorizonte frymën e kompromisit dhe bashkëpunimit mes partive politike. “Vlera më e ulët e votave e detyron Kurtin të bashkëpunojë me tjerët për të kaluar krizat,” shpjegon ai, duke theksuar nevojën për të patur të paktën dy parti kryesore në koalicion për krijimin e institucioneve dhe zgjidhjen e krizës politike dhe ekonomike.
Analisti nënvizon se rritja e mëparshme e LVV-së në mbi 50% ka qenë e dëmshme, pasi pushteti absolut ka transformuar udhëheqësin Albin Kurti nga një figurë simpatike në një semi-autokrat me tendencë për kontroll të plotë. Muharremi thekson se korrigjimi i LVV-së është i nevojshëm për të rikthyer balancën, për të sjellë stabilitet, shpresë dhe funksionim më të mirë të sistemit politik dhe ekonomik në Kosovë.
Postimi i plotë:
Pa korrigjim dhe rënie të LVV-së nuk ka normalitet dhe stabilitet në Kosovë
Për me pas stabilitet dhe institucionet funksionale, LVV duhet me ra në 300k vota ose më pak me 28 dhjetor. Sistemi nuk po funksionon më dhe jemi në tranzicion. Sa më shumë fiton LVV, aq më e gjatë është bllokada dhe kriza. Pse? Për shkak se ajo më kurrë nuk mundet me fitu e formu institucionet vetë pa bashkëpunim dhe kompromise me partitë tjera. Sa më shumë viton, bëhet më arrogante dhe jo-racionale për bashkëpunim dhe anasjelltas.
Tash na duhen jo vetëm 61 vota të deputetëve, por 81 për shkak të pozitës së Presidentit të Kosovës. E në këtë frymë, LVV kurrë nuk mundet me i fitu 70%, po as 50%. As 40% mesiguri nuk i fiton më, se trendi i saj i rënies dhe korrigjimit nga kulmi i lartë ishte 0.87 pikë përqindje për muaj herën e fundit që kishim matje. Matjet e fundit kanë treguar një përkrahje në rajonin 37%-35% të LVV-së.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet me përshpejtu tranzicionin dhe sa më shpejt aq më mirë, për shkak se nuk ka rrugë tjetër. Sa më modeste të jetë LVV më % të votave, aq më shumë do të kemi frymë të kompromisit dhe bashkëpunimit. Vlera e lartë e votave e bënë Kurtin kokëfortë dhe jobashkëpunues, e vlera më eulët e ulë në tavolinë dhe e detyron me bashkëpunu me tjerët për me kalu kriza.
Mos harroni që për me u kriju institucionet dhe me përfundu kriza e thellë politike dhe ekonomike duhet me pas bashkëpunim mes së paku 2 nga tri partitë kryesore, por preferohet një koalicion edhe më i gjërë. E kompromisi i LVV duhet me qenë pozita e Kryeministrit në shkëmbim për pozitën e presidentit për Kurtin. Sado që partitë ju thonë në fushatë e zgjedhje “ata dhe ne”, pas zgjedhjeve kanë me u pajtu dhe kanë me qenë bashkë.
Rritja asimetrike aksidentale që ka pas LVV në 50.2% dhe 42.3% vetëm e ka bë më të keqe këtë parti. Pushteti absolut në demokraci pluraliste të keqëson. Edhe Albin Kurti, nga një djalosh që dëgjon U2 dhe është simpatik për shumicën e popullatës, është transformuar në një semi autokrat me dëshirë të paepur për pushtet absolut e kontroll në gjithcka. Pushteti i madh e ka tjetërsu dhe e ka nxjerrë më të keqen e tij.
Tash është koha me u balancu gjërat dhe me sjellë stabilitet dhe shpresë në Kosovë. Rruga më e mirë dhe pragmatike është duke vazhduar korrigjimin e LVV-së dhe përshpejtimin e rënies së saj fillimisht në nivel 300k vota dhe pastaj edhe tek baza e saj në rajonin 20%-25%.
Kjo nuk është asgjë kundër LVV, por sistemi nuk po funksionon më. Jemi në kriza dhe bllokada e paraliza të thella me implikime në sigurinë kombëtare. Fundja, sa për ne, nëse sistemi funksionon mirë, partitë le të fitojnë sa të munden, por ky nuk është rasti aktual në Kosovë.
Pushteti i madh ka sjellë vetëm më shumë izolim, polarizim, përçarje dhe varfëri e migrim. Tani është koha me vazhdu ekuilibrin, ndërsa korrigjimi i LVV-së vetëm ka me sjellë dobi dhe të mira e stabilitet e funksionim më të mirë për Kosovën./lajmi.net/