Shëndetësia kosovare ndihmohet me pajisje nga Gjermania

Karvani me ndihma humanitare mjekësore të organizatës humanitare gjermane “Biker Brummi-Hilfe e.V” (BBH) arriti të mërkurën në vendin tonë. Kjo organizatë në bashkëpunim me “Eurobiker Charity Croatia” solli në Kosovë pajisje për qendrat kryesore të mjekësisë familjare në Klinë dhe në Istog.

Lajme

04/06/2014 18:57

Ky donacion, i përbërë prej 17 kamionëve 40 tonësh, disa prej të cilëve më parë ishin ndalur në Kumanovë, qytet të cilit po ashtu i është dedikuar një pjesë e donacionit, kurse një pjesë do t’i shkojë nesër edhe Rrëshenit dhe Tiranës, është projekt që zhvillohet nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe të ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, Frank Walter Steinmeier, njofton KosovaPress.

Karvani me pajisje mjekësore donacion për shëndetësinë kosovare është përcjell edhe me automjete mjekësore të kampingut dhe rreth 100 motoçiklistë nga rreth 10 kombe të ndryshme.

Ministri në largim i Shëndetësisë, Ferid Agani falënderoi shtetin gjerman për këtë donacion.

“Ky donacion, përveç vlerës së tij në pajisje për institucionet shëndetësore, e ka vlerën e vet edhe në aspektin e fuqizimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me institucionet gjermane dhe flet edhe për besimin dhe mbështetjen e këtij shteti për reformat në shëndetësinë kosovare”, tha Agani.

Ambasadori gjerman, Peter Blomeyer tha se iniciativa për të ndihmuar me pajisje ka qenë e mjekëve gjermanë, të cilët kanë vizituar qendrat shëndetësore në Kosovë, kanë mbajtur evidencë për nevojat dhe kur janë kthyer në Gjermani, bashkë me qytetarët gjermanë, janë mobilizuar për të ndihmuar shëndetësinë kosovare.

Dr. Hermann Munzel, iniciator i këtij projekti, tha se kjo iniciativë ka nisur para katër muajve, kur ai kishte vizituar disa qendra mjekësore në Kosovë, ndërsa donacioni ka në përbërjen e tij pajisje mjekësore, inventar mjekësor dhe materiale të tjera të nevojshme për qendrat shëndetësore.