Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë tregon pritshmëritë që ka për Qeverinë Kurti
shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka folur për pritshmërinë e BE-së për Qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër Albin Kurti.

Lajme
Ai së pari thotë se pritjet e tyre janë që kjo qeveri të jetë qeveria e parë që ta përfundojë mandatin e tyre.
“Jemi të inkurajuar në fakt me shumicën e fortë që qeveria ka, si dhe me shumicën e fuqishme me të cilën është votuar në parlament. Megjithatë, kam përshtypjen që Kosova ka pasur probleme sistematike me kohëzgjatjen e qeverisjeve, si dhe periudha mesatare e qeverisë në pushtet ka qenë 2 vjet. Mendoj që kemi nevojë me të vërtet të fokusohemi në çështje strategjike afatgjate dhe për këtë na duhet një partner, që qëndron aty për një kohë, si dhe që mund të planifikojë jo vetëm për disa çështje, por për të gjitha. Por, po ashtu një qeveri që gëzon mbështetje në Parlament, ashtu që të jetë në gjendje të miratojë legjislacionin e nevojshëm. Kjo besojmë që është inkurajuese. Ne jemi gati të punojmë me qeverinë e re. Besojmë që prioritet, sepse ende nuk e kemi parë programin qeveritar, por prioritetet siç janë të definuara janë të duhurat” tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë në një intervistë për Klan Kosova.
Ai po ashtu tha se presin që kjo qeveri të angazhohet në mënyrë serioze në çështjen e integrimit evropian si dhe dialogut me Serbinë.
“Ne po ashtu presim nga kjo qeveri që të angazhohet në mënyrë seriozve në çështjen e integrimit evropian, në çështjen e bashkëpunimi rajonal si dhe sigurisht edhe në çështjen e dialogut”, tha ai.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur se nuk janë të kënaqur më atë se sa institucionet në Kosovë kanë zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Ai ka thënë se këtë dokument e sheh me rëndësi për tri fusha.
“Më së pari, marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës: pra në thelb, ky është dokumenti i parë që është ligjërisht obligues, si dhe është obligues për të dyja palët në zbatimin e saj. Por, është po ashtu dokument i rëndësishëm politik, sepse krijon disa trupa të caktuar si Këshilli për Stabilizim e Asocim”, ka pohuar Szunyog, njofton Klan Kosova.
“Pjesa e dytë, që po ashtu është e rëndësishme, është që Marrëveshja për Stabilizim-Asocim është hapi i parë drejt integrimit evropian, pra barazon pozitën e Kosovës me vendet tjera të rajonit. Prapë, procesi i stabilizim-asocimit është hapi i parë, pasuar nga kandidatura e shteteve, pastaj negociatat për aderim, si dhe përfundimisht pranimi. Besoj që kjo është pika e dytë e rëndësishme”.
“Tani, së treti, Marrëveshja për Stabilizim e Asocim është dokument tejet praktik, në kuptimin që ofron një udhërrëfyes për Kosovën në përafrimin e legjislacionit, por edhe rregullave e standardeve, me rregullat e standardet evropiane, pra me atë që quhet Acquis. Pra, nëse zbatohet plotësisht e mirëfilli, në fakt mund të shërbejë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit për biznese, për jetën sociale, për mbrojtjen sociale, apo në të gjitha fushat e jetës publike në Kosovë”.
“Sa i përket zbatimit, pesë vjet është periudhë mjaft e gjatë, si dhe e kuptojmë që nganjëherë zbatimi i mirëfilltë edhe mund të pengohet nga zhvillime komplekse politike, kriza qeveritare, zgjedhjet e të tjera. Por, nëse flasim përgjithësisht, nuk jemi plotësisht të kënaqur me zbatimin e saj”.
Ai ka theksuar se zbatimi i saj mbetet i pabalancuar, e këto sipas tij theksohen në Raportin e Progresit.
“Në Raportin e Progresit mund të shihet që shpesh vlerësimi për Kosovën është “në fazë të hershme”, ose “nuk ka progres fare”, në disa raste, ka edhe përparim të mirë me miratimin e ligjeve, por sfidë specifike në fakt është zbatimi i tyre. Pra, derisa shënojmë përvjetorin e pestë, jam i bindur, si dhe shpresoj, që vitin vijues, e edhe pas dy vitesh, të mund të flasim jo vetëm për miratimin e ligjeve, por edhe për zbatimin e tyre praktik”.