Shefi i OBSH-së i përgjigjet akuzave të Trump për herë të parë

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit të mërkurën mbrojti përgjigjen e organizatës ndaj pandemisë koronavirus, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt kritikave të nivelit të lartë nga Presidenti Donald Trump.

Bota

08/04/2020 22:22

Trump të martën kërcënoi të tërhiqte fondet amerikane për organizatën, që të kthehej më vonë e të bënte kritika të ngjashme, raporton CNN, transmeton lajmi.net.

“Ju lutemi mos e politizoni këtë virus. Nëse dëshironi të keni ende trupa të vdekur, atëherë vazhdoni”, tha  Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë shtypi në Gjenevë, Zvicër.

“Nëse nuk doni shumë më shumë vdekje, atëherë përmbajuni e mos e politizoni atë. Mesazhi im i shkurtër është: Ju lutem karantinojeni politizimin e Covid. Uniteti i vendit tuaj do të jetë shumë i rëndësishëm për të mposhtur këtë virus të rrezikshëm”, ka shtuar tutje ai.

Tedros përshkroi një afat kohor të veprimeve që organizata e tij ndërmori në përgjigje të krizës.

Në Ditën e Vitit të Ri, një ditë pasi Kina raportoi një numër rastesh në Wuhan që më vonë u kuptua se ishin të prekur nga koronavirusi i ri. Agjencia aktivizoi Ekipin e Mbështetjes për Menaxhimin e Incidenteve për të koordinuar reagimin e saj në seli, selinë rajonale dhe në nivelin e vendit, tha Tedros.

Më 5 janar, OBSH njoftoi të gjitha vendet anëtare për shpërthimin e ri dhe postoi lajmet për shpërthimin në faqen e internetit. Ajo më 10 janar publikoi një “paketë të plotë udhëzimesh” për vendet se si të zbulojnë dhe testojnë rastet e mundshme.

Në fund të janarit, pasi rastet e para të përhapjes së komunitetit u raportuan jashtë Kinës, OBSH “shpalli një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar, nivelin më të lartë të alarmit”, sipas Tedros.

Ekipi i Menaxhimit të Krizave të Kombeve të Bashkuara u aktivizua në fillim të shkurtit për të ndihmuar në përgjigjen ndaj virusit që më vonë do deklarohej si pandemik.

“Ne do ta bëjmë vlerësimin tonë duke identifikuar pikat e forta dhe të dobëta,” tha Tedros, duke shtuar se OBSH dëshiron të mësojë më shumë nga pandemia. /Lajmi.net/