Shefi i NATO-s: Jemi në pritje të llogaridhënies nga Beogradi për ngjarjet në Banjskë
Shefi i NATO-s, Mark Rutte ka thënë se aleanca është duke ndjekur nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe sigurisht edhe në Kosovë. Dhe kur bëhet fjalë për Kosovën ai ka përmendur faktin se NATO është në pritje të llogaridhënies nga Beogradi zyrtar për ngjarjet Banjskë, në vitin 2023. Këtë gjë, shefi i NATO-s e…
Lajme
Shefi i NATO-s, Mark Rutte ka thënë se aleanca është duke ndjekur nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe sigurisht edhe në Kosovë.
Dhe kur bëhet fjalë për Kosovën ai ka përmendur faktin se NATO është në pritje të llogaridhënies nga Beogradi zyrtar për ngjarjet Banjskë, në vitin 2023.
Këtë gjë, shefi i NATO-s e ka thënë në një konferencë për media në selinë e NATO-s, para takimit të ministrave të Mbrojtes që do të mbahet më 12 shkurt në Bruksel.
“Unë vetë, por edhe si aleancë, jam në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Ne ende po presim llogaridhënien e tij për atë që ndodhi në vitin 2023 në Banjska dhe ngjarjet e tjera në vitin 2023. Pra, në thelb nuk ka shumë gjëra të reja për të raportuar, por duhet theksuar se ne i ndjekim ngjarjet nga afër”, ka thënë Rutte, përcjell Telegrafi.
NATO: Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e Aleancës
Ai ka shtuar se “përmes KFOR-it dhe aktiviteteve të tjera të Aleancës në Ballkanin Perëndimor dhe sigurisht, në Bosnjë dhe Hercegovinë, por gjithashtu, sigurisht, në Kosovë, ne jemi shumë të përfshirë dhe i ndjekim gjërat nga afër”.
“Kemi pesë aleatë në Ballkanin Perëndimor të cilët po e përditësojnë vazhdimisht aleancën kolektive, duke përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, por edhe, sigurisht, Slloveninë, Kroacinë”, ka thënë më tej Rutte.
Siç ka shtuar ai, NATO kurrë nuk do të pranojë një vakum sigurie në Bosnjë dhe Hercegovinë, kështu që po ndjek nga afër ngjarjet edhe atje.
Ndryshe, të enjten, më 12 shkurt, Ministrat e Mbrojtjes të vendeve aleate do të mblidhen në selinë e NATO-s në Bruksel, në kuadër të takimit të radhës ministror.
Takimi do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën.