Shefi i Ekzekutivit të Hong Kongut nuk do të japë dorëheqje

0:34 | 3 Tetor 2014

Shefi ekzekutiv i Hong Kong-ut, CY Leung ka thënë se ai nuk do të japë dorëheqje, por ai ka ofruar që të zhvillohen bisedime në mes të qeverisë së tij dhe protestuesve pro-demokratik.

Protestuesit janë të zemëruar me planin e Kinës që për zgjedhjet e vitit 2017, edhe në Hong Kong të votohet duke u bazuar në reformën e re zgjedhore, sipas së cilës Kina duhet të miratojë listën e të propozuarve nga Hong Kongu. Ata tashmë kanë rrethuar dy ndërtesat qeveritare në Hong Kong dhe i kanë dhënë afat Leung-ut që të japë dorëheqje deri në mesnatë, përndryshe ata do të “pushtojnë” ndërtesat qeveritare.

Por, në një konferencë për media, pak përpara afatit të protestuesve, shefi i ekzekutivit Leung tha se marrja nën kontroll e ndërtesës qeveritare do të sillte “pasoja serioze”.

“Sonte Federata e Studentëve të Hong Kongut përmes një letre të hapur ka kërkuar takim me sekretarin e shefit i cili përfaqëson qeverinë në Hong Kong për të diskutuar për këtë çështje dhe ky është një zhvillim kushtetues i Hong Kong-ut”, tha Leung.

“Ne e kemi studiuar këtë letër në detaje dhe unë mund të takohem me përfaqësuesit e studentëve për të diskutuar për çështjen kushtetuese”.

Ai shtoi : “Unë nuk do të jap dorëheqje sepse më duhet që të vazhdoj punën për zgjedhjet”..