Shefi i deputetëve të LDK-së kritikon Kurtin: Përkrahja për Biden, ndërhyrje në punët e brendshme të SHBA-së

Rreshtimi i ish-kryeministrit Albin Kurti pro kundërkandidatit të Donald Trump në zgjedhjet e SHBA-së i ka penguar shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Lajme

16/10/2020 22:55

Thirrjen e Kurtit drejtuar shqiptarëve që jetojnë në SHBA që të votojnë kandidatin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit, Gashi këtë e ka konsideruar si ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit mik të Kosovës dhe tha se kjo është e dëmshme.

“Deklarimi i ish-kryeministrit për zgjedhjet në SHBA përbën ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti mik. Dëmi do të jetë disadimensional!”, shkroi ai.

Sipas Kurtit, një votë për Biden, është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë.

“Për shqiptarët në të gjithë Shtetet e Bashkuara, po ju drejtohem sot,  për t’ju nxitur që të votoni për Joe Biden në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Një votë për Joe Biden është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë, të cilat gjithmonë kanë lidhur Shtetet e Bashkuara, Kosovën dhe diasporën shqiptare si aleatë të përkushtuar”, ka thënë Kurti në një video-mesazh.

“Që nga vitet e 90-ta, Joe Biden është një mbështetës i palëkundur  i shqiptarëve në Ballkan.  Ishte ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit; që bëri ndërhyrje amerikane në Bosnjë dhe më pas në Kosovë; që kërkoi ndjekjen penale të kriminelëve të luftës dhe që mbështeti pavarësinë dhe njohjen e Republikës së Kosovës”.