Shef me Aktakuzë

Nexhat Krasniqi, Shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, ka një aktakuzë të ngritur për keqpërdorime në MTI, detajet e së cilës i sjell lajmi.net. Megjithatë, ai vazhdon punën, në institucionin i cili sivjet kishte buxhet prej 311 milionë eurosh.

Lajme

15/11/2013 07:20

Nexhat Krasniqi është Shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, pozicion ky i njohur si “gardian” i fondeve publike, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston aktakuzë e ngritur.

Ai me disa bashkëpunëtorë dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, marrje ryshfeti dhe lidhje të kontratave të dëmshme në kohën kur ishte Shef i Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Nexhat Krasniqi është në krye të aktakuzës, e cila është ngritur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, një kopje të së cilës e ka siguruar lajmi.net.

Bashkë me të akuzohen edhe Adem Zogjani nga Harilaqi i Fushë-Kosovës, Sadri Hykosmani nga Juniku, Safet Fazliu nga Tërnavica e Podujevës, me vendbanim në Prishtinë, dhe Hilmi Bellopoja nga fshati Resnik, me vendbanim në Vushtrri.

Pika e parë e akuzës për Nexhat Krasniqin është: “Keqpëdorimi i detyrës zyrtare dhe Autorizimit në Kundërshtim me KPK, Neni 422 dhe 31”.

Baza faktike e akuzës është se Nexhat Krasniqi, duke qenë person zyrtar, nga 14 shtatori 2005 deri më 31 dhjetor 2007, me bashkëveprim i ka kaluar kufijtë e autorizimit të tij me qëllim marrjes së profitit të përgjithshëm në tejkalim prej 5.000 eurove, si dhe duke dëmtuar buxhetin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në tejkalim të 2.500 eurove.

Gjatë zbatimit të punëve në ndërtimin e projektit “Parku Industrial në Drenas”, Nexhat Krasniqi, në cilësinë e Drejtorit të Departamentit të Prokurimit, siç thuhet në aktakuzë, ka nënshkruar së bashku me të tjerët faturën për t’ia paguar 50.000 euro Hilmi Bellopojës, nën urdhërin e pagesës 20406254, shumë e cila ishte pothuajse e paguar si pagesë avans.

Kur pagesa e përmendur ishte urdhëruar të kthehej pas Auditimit të Brendshëm të MTI’së, Nexhat Krasniqi pohohet t’i ketë marrë të hollat personalisht dhe pastaj kishte dështuar t’i kthente ato në buxhetin e Ministrisë.

Po ashtu, Krasniqi akuzohet edhe për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës dhe për marrje ryshfeti në kundërshtim me KPK, Neni 343 (1)., pasi duke qenë Drejtor i Departamentit të Prokurimit në MTI, nga 14 shtatori 2005 deri më 31 dhjetor 2007, në bashkëkryerje, akuzohet se ka ndihmuar, apo pranuar dhuratë, apo përfitim tjetër për veten, d.m.th., ryshfet në vlerë prej 180,000 euro, për të kryer brenda fushëveprimit të autorizimit të tij një akt zyrtar, apo tjetër, d.m.th., aprovimin e tenderit nga kompania e Hilmi Bellopojës, ELTONI, për ndërtimin e infrastrukturës në Parkun Industrial në Drenas.

Nexhat Krasniqi me këtë Aktakuzë ngarkohet edhe për Lidhje të Kontratave të Dëmshme në kundërshtim të KPK, Nenit 237 (1) dhe (2), pasi duke qenë në pozitën e njëjtë ka nënshkruar kontratë me përfqësuesin e ELTONIT (në shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik nr.2003/17 Neni 34,2 (d) për zbatim të punëve në Projektin e Parkut Industrial në Drenas, në shumë 1, 730,000 euro.

Kontrata e mësipërme pohohet se është e dëmshme, pasi procesi ka tejkaluar çmimin e kontratës fillestare 10 për qind, duke e dëmtuar buxhetin e MTI’së në një shumë që tejkalon vlerën prej 100.000 euro.

Megjithëse ngarkohet me gjitha këto akuza e dyshime, Nexhat Krasniqi vazhdon të jetë Shef i Prokurimit në Ministrinë  e Infrastrukturës, e cila gjatë këtij viti kishte buxhet prej afro 311 milionë euro.