Shea e sheh me dyshim mundësinë që Trump të riangazhohet seriozisht në dialogun Kosovë-Serbi: Është kohë tjetër, plotë me kriza
Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka folur mbi ndikimin që përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit mund të ketë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit. Ai thekson se, ndonëse NATO nuk pritet të përfshihet drejtpërdrejt, zhvillimet globale po ndikojnë në prioritetet strategjike dhe politike të aleancës në rajon. ‘’Jo, nuk e shoh NATO-n…

Lajme
Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka folur mbi ndikimin që përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit mund të ketë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit.
Ai thekson se, ndonëse NATO nuk pritet të përfshihet drejtpërdrejt, zhvillimet globale po ndikojnë në prioritetet strategjike dhe politike të aleancës në rajon.
‘’Jo, nuk e shoh NATO-n të ndërhyjë në luftën Izrael-Iran, megjithëse disa aleatë mund të ndihmojnë Izraelin, siç kanë bërë edhe në të kaluarën, duke përdorur avionët dhe anijet e tyre për të rrëzuar raketat dhe dronët iranianë që synojnë Izraelin. SHBA do të përdorë bazat e NATO-s në Evropë për të dislokuar anijet, avionët luftarakë dhe tankerët e saj, të gatshëm për t’u nisur drejt Lindjes së Mesme nëse do të jetë e nevojshme. Trump me siguri do ta shfrytëzojë samitin e NATO-s javën e ardhshme për të kërkuar mbështetjen e aleatëve për politikat e tij ndaj Iranit’’.
Shea thotë se NATO do të qëndrojë jashtë konfliktit, por infrastrukturat e saj në Evropë do të luajnë rol logjistik për SHBA-në.
‘’Nuk e shoh që kjo situatë të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë apo në Ballkanin Perëndimor, përveç se SHBA-të dhe ndoshta edhe disa aleatë të tjerë mund të rrisin sigurinë në ambasadat, kompanitë dhe bazat e tyre ushtarake, pasi mund të presin sulme terroriste të sponsorizuara nga Irani. SHBA-të mund të kërkojnë gjithashtu leje për baza ose për të fluturuar mbi disa vende, në varësi të zhvillimit të situatës ushtarake. Problemi i vërtetë është se tani kemi një tjetër krizë të madhe ndërkombëtare (si ajo në Ukrainë), që po e largon vëmendjen dhe energjinë politike nga sfidat aktuale në Ballkanin Perëndimor, sidomos nga dialogu Prishtinë-Beograd’’.
Njohësi i krizave ndërkombëtare paralajmëron se Kosova mund të ndikohet indirekt përmes zhvendosjes së fokusit ndërkombëtar.
‘’Nuk e shoh të formohet një koalicion ndërkombëtar kundër Iranit. Do të ishte politikisht e vështirë për vendet evropiane të hyjnë në luftë, përderisa nuk ka kërcënim apo provokim të drejtpërdrejtë nga Irani, dhe izraelitët duan vetëm ndihmën e SHBA-ve për bombardime, jo të evropianëve, në mënyrë që ta mbajnë kontrollin maksimal’’.
Ai vlerëson se përçarja ndërmjet interesave amerikane dhe evropiane e bën të pamundur një qasje të bashkërenduar kundër Iranit.
‘’Trump është krenar për rolin që ka pasur në të kaluarën në ndërmjetësimin midis Kosovës dhe Serbisë dhe ka përmendur se do të dëshironte të kthehej për të ndihmuar përsëri. Por peizazhi gjeopolitik tani është shumë më konfrontues dhe i mbushur me kriza krahasuar me mandatin e tij të parë, prandaj nuk është e sigurt nëse Trump do të ketë kohën dhe fokusin për të çuar përpara çështjet në Ballkanin Perëndimor’’, tha i për Klan Kosova.
Për klankosova.tv, në këtë fazë të trazuar globale, ai vuri në dyshim nëse Trump do të ketë mundësi të riangazhohet seriozisht në procesin Kosovë-Serbi.