SHBA-të urojnë Ramën e Vuçiqin

Shtetet e Bashkuara kanë uruar qeveritë e Shqipërisë dhe Serbisë për “hapjen e kapitullit të ri” në marrëdhëniet midis dy vendeve. , raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Lajme

13/11/2014 16:23

“Shtetet e Bashkuara urojnë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për vizitën e parë të një kryeministri shqiptar në Beograd, në gati 70 vjet”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki.

“Uashingtoni mirëpret angazhimin e ndërsjellë që kanë treguar këta liderë, duke hapur kapitull të ri të miqësisë dhe bashkëpunimit midis vendeve të tyre”, thuhet në këtë deklaratë raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Rama ka qëndruar në Serbi më 10 dhe 11 nëntor, por përkundër “thyerjes së akullit”, raportet midis dy vendeve vlerësohen si të ngrira.

Kryeministri shqiptar është përplasur me homologun e tij serb rreth Kosovës, pasi ka thënë se pavarësia e saj është një realitet i pamohueshëm, ndërsa Vuçiq e ka konsideruar këtë si provokim dhe është larguar nga konferenca për media pa i shtrënguar dorën mysafirit, ashtu sikurse e kërkon protokolli.

Pas përfundimit të vizitës, Rama ka shprehur keqardhje për homologun e tij, duke thënë se e vërteta nuk duhet të shihet si provokim nga Serbia dhe se “dielli nuk mund të mbulohet me shoshë”.