ShBA-të do të lejojnë Turqinë të marrë avionët e avancuar amerikanë, nëse heq dorë nga raketat antiajrore ruse

Ndërsa marrëdhëniet Turqi-SHBA po përmirësohen me shpejtësi, Uashingtoni i ofroi Ankarasë që ta lejojë të blejë avionët luftarakë F-35 nëse ajo heq, duke i çuar në një vend të tretë, raketat S-400 që bleu nga Rusia. Por siç njofton nga Stambolli korrespodenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, raketat mbeten një simbol i fuqishëm i…

Bota

20/02/2024 18:38

Ndërsa marrëdhëniet Turqi-SHBA po përmirësohen me shpejtësi, Uashingtoni i ofroi Ankarasë që ta lejojë të blejë avionët luftarakë F-35 nëse ajo heq, duke i çuar në një vend të tretë, raketat S-400 që bleu nga Rusia. Por siç njofton nga Stambolli korrespodenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, raketat mbeten një simbol i fuqishëm i thellimit të lidhjeve mes Turqisë dhe Rusisë.

Blerja nga Turqia e avionëve të avancuar F-35 nga Shtetet e Bashkuara mund të hapet sërish si mundësi. Turqia u përjashtua nga prodhimi i brezit të ri të avionëve luftarakë F-35 pasi vendosi të blejë sistemet anti-ajrore ruse të tipit S-400, që sipas Uashingtonit rrezikonin teknologjinë e avionëve F-35.

Por gjatë një vizite në Stamboll muajin e kaluar, Nënsekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, bëri të ditur se Uashingtoni mund të lejojë sërish shitjen e avionëve për Turqinë nëse raketat ruse do të largoheshin në një vend të tretë. Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan la të kuptohet se Ankaraja mund të jetë e hapur për një marrëveshje.

“Blerja e raketave ishte e pashembullt. Mendoj se disa anëtarë të qeverisë së zotit Erdogan e pranojnë se ky ishte një gabim i madh. Blerja e sistemit S-400 nga Turqia ishte një përpjekje shumë e kushtueshme”, shprehet Onur Isci nga universiteti “Kadir Has”.

Sipas analistëve, blerja e raketave S-400 nga Turqia, përbën një tregues të fortë të thellimit të lidhjeve të saj me Rusinë dhe përkeqësimit të marrëdhënieve me Uashingtonin. Marrëveshja u nënshkrua gjatë një periudhe mosbesimi, pasi Ankaraja akuzoi Uashingtonin për përfshirje në përpjekjen e dështuar për grusht shtetit në vitin 2016, një akuzë që Shtetet e Bashkuara e kanë mohuar.

Lidhjet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara janë përmirësuar me ratifikimin nga Ankaraja të anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe vendimin e ndërsjelltë nga Uashingtoni për të lejuar shitjen e avionëve F-16 për Turqinë.

Por avionët F-16 janë të një rangu më të ulët se ata F-35, që fqinji dhe rivali i saj Greqia, do t’i blejë në kuadër të modernizimit të vet ushtarak.

“Në Turqi ka shqetësim se balanca e kapaciteteve të forcave ajrore mbi Egje mund të anojë nga pala greke”, shprehet Soli Ozel nga universiteti “Kadir Has”.

Sidoqoftë, analistët thonë se pranimi nga Ankaraja i mundësisë së ofruar nga Uashingtoni për avionë F-35 në këmbim të largimit të raketave të prodhuara nga Rusia, ndoshta tek aleatë të Turqisë, si Azerbajxhani apo Katari apo edhe Libia, do të varet nga përparimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

“Turqia mund të heqë dorë lehtësisht nga raketat S-400, është një vendim politik, nuk është domosdoshmëri ushtarake, është një vendim dhe kompromis politik. Deri më tani, raketat S-400 e kanë ndihmuar Turqinë të rrisë nivelin e negociatave me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shprehet Huseyin Bagci nga Instituti për Politikë të Jashtme.

Blerja e raketave ruse nga Ankaraja u pa gjerësisht si një triumf diplomatik për Moskën, duke e ndarë Turqinë nga aleatët e saj të NATO-s. Heqja e raketave, thonë analistët, do të paraqiste një fitore me rëndësi të ngjashme, për Uashingtonin. /VOA