SHBA-të dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur për burimet natyrore

SHBA-të kanë nënshkruar një marrëveshje me Kievin për të ndarë fitimet nga shitja e ardhshme e rezervave minerale të Ukrainës, pas muajsh negociatash të tensionuara. Të dy vendet kanë rënë dakord të krijojnë një fond investimesh në rindërtim për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës nga lufta me Rusinë, shkruan BBC. Sekretari i Thesarit të…

Lajme

01/05/2025 09:31

SHBA-të kanë nënshkruar një marrëveshje me Kievin për të ndarë fitimet nga shitja e ardhshme e rezervave minerale të Ukrainës, pas muajsh negociatash të tensionuara.

Të dy vendet kanë rënë dakord të krijojnë një fond investimesh në rindërtim për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës nga lufta me Rusinë, shkruan BBC.

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, tha se kjo tregonte se të dyja palët ishin të përkushtuara për paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm në Ukrainë. Për Kievin, marrëveshja shihet si thelbësore për të aksesuar ndihmën ushtarake amerikane.

Ukraina besohet se ka rezerva të mëdha mineralesh kritike si grafiti, titani dhe litiumi. Ato janë shumë të kërkuara për shkak të përdorimit të tyre në energjinë e rinovueshme, teknologjinë ushtarake dhe infrastrukturën industriale.

Marrëveshja vjen në mes të një lufte tregtare të SHBA-së me Kinën, nga e cila vijnë 90% e rezervave aktuale të metaleve të rralla në botë.

Sipas deklaratës së Thesarit të SHBA-së të mërkurën pasdite, Fondi i Investimeve për Rindërtim SHBA-Ukrainë, i sapokrijuar, njeh “mbështetjen e konsiderueshme financiare dhe materiale” që SHBA-të i kanë dhënë Ukrainës që kur Rusia pushtoi vendin në shkurt të vitit 2022.

Sekretari i thesarit të SHBA-së tha në një deklaratë video se marrëveshja do të ndihmonte në “zhbllokimin e aseteve të rritjes së Ukrainës”.

Gjuha e njoftimit tregon shumë më tepër solidaritet me Ukrainën sesa është zakonisht për administratën Trump.

Ai i referohet “pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë” dhe shton se “asnjë shtet ose person që financoi ose furnizoi makinën ruse të luftës nuk do të lejohet të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës”.

Kremlini ende nuk i është përgjigjur marrëveshjes.