SHBA sanksionon gjyqtarin që konfirmoi aktakuzën ndaj Thaçit e të tjerëve – kjo është arsyeja!
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sot sanksione ndaj katër zyrtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), përfshirë edhe gjyqtarin francez Nicolas Yann Guillou – i njohur për publikun në Kosovë si gjyqtari paraprak që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi. Përveç…

Lajme
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sot sanksione ndaj katër zyrtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), përfshirë edhe gjyqtarin francez Nicolas Yann Guillou – i njohur për publikun në Kosovë si gjyqtari paraprak që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Përveç Guillou, Departamenti Amerikan i Shtetit ka sanksionuar edhe gjyqtaren Kimberly Prost dhe dy zëvendësprokurorë të ICC-së, Nazhat Shameem Khan dhe Mame Mandiaye Niang. Këto masa janë ndërmarrë në bazë të Urdhrit Ekzekutiv 14203, i cili autorizon sanksione ndaj individëve të huaj që përfshihen në veprime që konsiderohen si “përpjekje të dëmshme” të ICC-së kundër interesave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatit të saj, Izraelit.
Në njoftimin zyrtar thuhet se Guillou është sanksionuar për rolin e tij në autorizimin e lëshimit të urdhërarresteve ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant. Megjithatë, Guillou më herët ka qenë gjyqtari përgjegjës për miratimin e aktakuzës edhe ndaj liderëve të ish-UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Sipas Departamentit të Shtetit, këta zyrtarë të ICC-së janë përfshirë drejtpërdrejt në hetime, ndalime apo ndjekje penale të individëve të mbrojtur, pa pëlqimin e shteteve të tyre të origjinës – në këtë rast SHBA dhe Izraelit.
Çfarë nënkuptojnë sanksionet?
Të gjitha pronat dhe interesat në pronësi të këtyre katër zyrtarëve që ndodhen në SHBA ose në kontroll të personave amerikanë janë ngrirë dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC). Po ashtu, ndalohen të gjitha transaksionet me ta nga persona apo entitete amerikane.
Këto sanksione konsiderohen si një përshkallëzim i qëndrimit të Uashingtonit ndaj veprimeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare që, sipas administratës amerikane, tejkalojnë mandatin dhe cenojnë sovranitetin e vendeve./lajmi.net/