​SHBA në krah të ushtrisë së Kosovës, FSK teston aftësitë dhe kapacitetet luftarake

Në kuadër të ushtrimit fushor “Ujku Shigjetë” i cili po zhvillohet në poligonin ushtarak në Bobaj të Bokës, Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka organizuar Ditën e Vizitorëve. Të pranishëm për të parë nga afër ushtrimin e ushtarakëve ishin ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci , komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës,…

Lajme

28/10/2025 14:11

Në kuadër të ushtrimit fushor “Ujku Shigjetë” i cili po zhvillohet në poligonin ushtarak në Bobaj të Bokës, Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka organizuar Ditën e Vizitorëve.

Të pranishëm për të parë nga afër ushtrimin e ushtarakëve ishin ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci , komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari e përfaqësues amerikan.

Por, mungoi komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se sot po përmbyllet një nga objektivat kryesore të planit zhvillimor të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Maqedonci lavdëroi komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari për angazhimin e pashembullt për të arritur objektivat e ushtrisë së Kosovës.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për ushtrinë tonë Forcën e Sigurisë së Kosovës sepse sot po përmbyllim një prej objektivave kryesore të planit zhvillimor të Forcës së Sigurisë së Kosovës atë të certifikimit dhe validimit të të gjitha kapaciteteve të këmbësorisë regjimenteve të këmbësorisë së FSK-së. Pra, me këtë ushtrim ne po përmbyllim një fazë dhe po kalojmë në një fazë tjetër kemi marr masat dhe jemi duke u përgatitur për ta finalizuar. Me këtë rast falënderoj komandantin e FSK-së gjeneral Jasharin për punën e jashtëzakonshme dhe angazhimin e pashembullt për të arritur objektivat pavarësisht sfidat”, tha ai.

Sipas Maqedoncit investimet në sektorin e mbrojtjes janë mbështetje shtesë për kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të arritur objektivat e saj.

“Falënderojmë edhe ekipet nga SHBA-të të cilat kanë qenë vazhdimisht krah zhvillimit të FSK-së … investimet e qeverisë në mbrojtje në armatim personel trajnim dhe infrastrukturë janë një mbështetje shtesë për kapacitetet e FSK-së në arritjen e objektivave qe kemi përpara”, tha ai.

Ushtrimi fushor “Ujku Shigjetë” ka nis më 20 tetor dhe përfundon më 29 tetor./kp