SHBA-ja godet me sanksione kompanitë ruse të naftës, BE-ja miraton pakon e re
Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën vonë sanksione të reja që në shënjestër kanë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse – Rosneft dhe Lukoil – në përpjekje për t’i bërë trysni Moskës të ulet për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë. Ky vendim erdhi pak pasi BE-ja e…

Bota
Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën vonë sanksione të reja që në shënjestër kanë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse – Rosneft dhe Lukoil – në përpjekje për t’i bërë trysni Moskës të ulet për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë.
Ky vendim erdhi pak pasi BE-ja e miratoi të paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës, të mërkurën, për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit të lëngshëm natyral të Rusisë (LNG).
Masat e Trumpit pasuan gjithashtu vendimin e Britanisë javën e kaluar për t’i sanksionuar Rosneftin dhe Lukoilin.
“Sa herë që flas me [presidentin rus] Vladimirin, kemi biseda të mira, por ato nuk të shpien askund. Thjesht nuk shpien askund”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, pas një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, me të cilin bisedoi lidhur me negociatat e paqes.
Njoftimi për sanksionet erdhi një ditë pasi Trumpi njoftoi se takimi i planifikuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Budapest, do të shtyhej për kohë të papërcaktuar.
Vetëm disa orë para sanksioneve, Rusia kreu bombardime të fuqishme mbi Ukrainë, duke i vrarë të paktën shtatë njerëz, përfshirë fëmijë.
Departamenti amerikan i Thesarit tha se është i gatshëm të ndërmarrë masa të mëtejshme, duke i bërë thirrje Moskës ta pranojë menjëherë një armëpushim në luftën që nisi në shkurt të vitit 2022.
“Duke pasur parasysh refuzimin e presidentit Putin për ta përfunduar këtë luftë të pakuptimtë, Thesari po sanksionon dy kompanitë më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinerinë e luftës së Kremlinit”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
“Ne inkurajojmë aleatët tanë të na bashkohen dhe t’i respektojnë këto sanksione”, shtoi ai.
Sipas analistes Rachel Ziemba nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane, sanksionet e SHBA-së pasojnë një lëvizje të ngjashme nga Britania javën e kaluar.
Këto janë sanksionet e para të mëdha kundër Rusisë nga administrata Trump dhe duhet të kenë ndikim më të madh sesa ato të vendosura vetëm nga Britania, sipas saj.
Trump u tha gazetarëve në Zyrën Ovale të mërkurën se e anuloi takimin e planifikuar në Hungari me Putinin, sepse nuk ndiente se ishte koha e duhur.
Kjo ishte një tjetër shenjë se durimi i Trumpit po soset.
“Nuk më dukej e drejtë. Nuk ndjeva se do të arrinim aty ku duhet të arrijmë”, tha Trump.
Paketa e 19-të e BE-së
Vendet e Bashkimit Evropian të enjten miratuan edhe formalisht paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Të gjitha 27 shtetet anëtare e kishin miratuar paketën qysh të mërkurën në mbrëmje, pasi Sllovakia hoqi dorë nga bllokimi i saj.
“Është një paketë e rëndësishme që synon burimet kryesore të të ardhurave të Rusisë përmes masave të reja energjetike, financiare dhe tregtare”, tha presidenca daneze e BE-së.
Ndalimi i LNG-së do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh, ndërsa kontratat afatgjata nga 1 janari 2027.
Sanksionet po ashtu përfshijnë futjen e cisternave ruse të naftës në listën e zezë dhe kufizime udhëtimi për diplomatët rusë.
Kjo është paketa e 19-të e sanksioneve që BE-ja ka vendosur që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.
Ato u prezantuan muajin e kaluar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha se blerja e karburanteve fosile nga Rusia po financon luftën ruse. REL