SHBA e shqetësuar, nëse zbatohet vendimi Ivanov mbron zyrtarët e korruptuar

23:32 | 13 Prill 2016

​Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimin e thellë për vendimin e presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov për të falur politikanët që janë nën hetim për skandalin e përgjimeve.

“Nëse zbatohet, ky vendim do të mbrojë zyrtarët e korruptuar dhe do të shkelen të drejtat e popullit të Maqedonisë. Ai gjithashtu do të dëmtojë më tej sundimin e ligjit në vend, integritetin e institucioneve të saj gjyqësore, si dhe besueshmërinë e përkushtimit të liderëve të saj për vlerat themelore të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Presidentit Ivanov, që të rishqyrtojë vendimin e tij dhe të lërë prokurorët e Zyrës Speciale të themeluar sipas marrëveshjes së “Przino” për të hetuar akuzat serioze ndaj qeverisë dhe të lejojë gjykatat që të bëjnë punën e tyre.

“Ne, gjithashtu inkurajojmë që qeveria dhe palët të vazhdojnë të punojnë për reformat që do të forcojë institucionet demokratike dhe të kthejnë Maqedoninë në rrugën drejt zgjedhjeve të besueshme dhe të integrimeve euroatlantike”, thuhet më tej.