SHBA: 9 deputetë shqiptarë në “listën e zezë”, trillim

Ambasada Amerikane ka hedhur poshtë të gjitha aludimet, përfshirë një artikull të gazetës së PD-së, Rilindja Demokratike, se kjo ambasadë ka hartuar një listë me 9 deputetë “non-grata”.

Lajme

11/03/2015 20:16

“Artikulli, i botuar fillimisht në gazetën Rilindja Demokratike dje, i cili i referohej një liste me nëntë deputetë të Parlamentit që ishin cilësuar “non grata” nga Ambasada Amerikane, është tërësisht një trillim. Ambasada vëzhgon nga afër çështjet që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin në të gjitha partitë politike, por nuk e ka hartuar një listë të tillë”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Mbrëmjen e së martës, Ambasada Amerikane sqaroi të gjithë tymnajën e ngritur në lidhje me krijimin e grupit parlamentar të miqësisë amerikano-shqiptare.

“Mbledhja inauguruese e grupit të miqësisë amerikano-shqiptare u shty për shkak të klimës politike aktuale në Parlament dhe mungesës së vullnetit të Partisë Demokratike për të marrë pjesë në mbledhje”, sqaroi ambasada.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i opozitës, e cila në një deklaratë për mediat tha se “PD mbështet shtyrjen e mbledhjes përuruese të grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-SHBA”.

“Një mbledhje e tillë me praninë e Ilir Metës, si kryetar Kuvendi, ndërkohë nën hetim dhe akuzë, si dhe me pjesëmarrjen e disa deputetëve të cilët do duhej të ishin objekt i dekriminalizimit, është gjykuar e papërshtatshme për pjesëmarrjen e saj”, thuhet në deklaratë. / Top Channel/