Shaqiri: Gjatë vitit të kaluar 100 fëmijë kanë fituar shërbime të mbrojtjes

Fëmijët në situatë rruge të cilët kërkojnë lëmoshë vazhdojnë te jenë sfidë për institucionet e Kosovës. Lajmi.net nëpërmjet episodit të radhës të dokumentarit “PASOJË” ka trajtuar këtë fenomen nga aspekte të ndryshme institucionale, sociale, të sigurisë e të trajtimit të këtij fenomeni.

Lajme

20/06/2022 22:08

Adile Shaqiri – udhëheqëse e divizionit të shërbimeve sociale në kuadër të departamentit politikave sociale dhe familjes, Ministria e Financave Punës dhe Transfereve ishte pjesë e episodit të radhës të dokumentarit “PASOJË” ku është trajtuar problemi i fëmijëve në gjendje rruge. Ajo është shprehur se po punojnë më Shqipërinë për largimin e fëmijëve lëmoshë-kërkues nga rruga.

“Gjithsesi për opinion do të doja të ndaja një informacion të rëndësishëm që ne me Shqipërinë kemi një marrëveshje të nënshkruar lidhur me identifikimin dhe tërheqjen e tyre fëmijëve nga rruga, është një marrëveshje që në kuadër të saj ka një plan veprimi me disa aktivitete specifike ku nga dy palët janë krijuar grupet punuese dhe po punohet intensivisht që këta fëmijë mos t’i shohim çdo ditë udhëkryqeve dhe semaforëve në qytetet e mëdha siç janë Prishtina, siç është Peja, Gjakova, Prizreni e kështu me radhë. Ideja e kësaj marrëveshje ka të bëjë me tërheqjen e fëmijëve nga format e rrezikshme të punës apo në situata të ndryshme dhe që mund të mendohet se mund të jenë të rrezikshme për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës,normalisht që marrëveshja dypalëshe ka të bëjë me tërheqjen e këtyre fëmijëve nga rruga dhe normalisht është marrëveshje dy paleshe që rregullon edhe pjesën nëse fëmijët nga Kosova identifikohen në Shqipëri por gjithsesi edhe fëmijë shqiptarë që identifikohen në rrugët tona. Është një marrëveshje që veçse është në implementim e sipër kështu ë vlerësojmë se deri tani gjithçka është në rregull”, thotë ajo.

Shaqiri më tutje thotë se institucionet punojnë vazhdimisht në hartimin e politikave për këtë çështje.

“Ne si institucion në nivel të hartimit të politikave kemi punuar dhe vazhdimisht punojmë por fatkeqësisht ne shohim prapë fëmijë në rrugë, prapë fëmijë që kërkojnë lëmoshë, prapë fëmijë që nëpër udhëkryqe ofrojnë shërbime të pastrimit të xhamave të makina e fëmijë që kryejnë shërbime të ndryshme që nuk janë të përshtatshme dhe as të lejueshme për moshën në të cilën ndodhen. Normalisht ministria për të cilën po flasim Ministria e Financave Punës dhe Transfereve në kuadër të reformës legjislative ne veç se jemi në përfundim të ligjit të ri për shërbime sociale dhe familjare ku një fokus të veçantë merr mbrojtja e fëmijëve lidhur me format e veçanta të trajtimit, lidhur me shërbimet specifike, lidhur me shërbimet e integruara çoftë komunitet apo në familje apo nga aspekti institucional kështu që në kuadër të ligjit tjetër veçse që është në implementim që është ligji për mbrojtjen e fëmijës ne si ministri kemi një numër të konsiderueshëm të akteve nënligjore të cilat janë në përfundim e sipër që në mënyrë specifike mbrojnë kategoritë e veçanta duke përfshirë fëmijët në forma të rënda të punës, gjithsesi ne kemi hartuar procedurë standarde të veprimit për t’i identifikuar për të mbrojtur për të tërhequr fëmijët nga rruga dhe format e ndryshme të punës, format e rënda gjithashtu kemi hartuar udhëzues specifik se si profesionistët në brenda sistemit të nacional në Kosovë identifikojnë, tërheqin nga rruga nga format e rënda të punës, trajtojnë dhe riintegrojnë keta fëmijë në gjendje të nevojës sociale”, tregon ajo.

Ajo gjithashtu potencon se mbi 100 fëmijë vitin e kaluar kanë fituar shërbime të mbrojtjes.

“Ne normalisht kemi statistika sepse ne kemi një vit të përfunduar për vitin 2021 por gjithsesi. Në të gjitha format e mbrojtjes që ne kemi zhvilluar dhe normalisht që numri i fëmijëve kanë përfituar ka të bëjë me numër të konsiderueshëm të fëmijëve që kanë përfituar nga shërbimet sociale në nivelin komunal po ashtu edhe nga niveli i strehimit. Gjithsej ne gjatë viti të kaluar ne kemi tërhequr 100 fëmijë, po flas për institucionet të mbrojtjes sociale në nivel lokal që janë qendrat për punë sociale dhe nga këta 100 fëmijë një numër i konsiderueshëm kanë përfituar edhe nga shërbimet rezidenciale por edhe nga format tjera të mbrojtjes, gjithashtu bazuar edhe në raportet që na vijnë nga qendrat për punë sociale, nga 40 qendra për punë sociale në 38 komunat e Kosovës, në 10 strehimoret për vitin 2021 ne kemi pasur të strehuar  596 viktima të dhunës në familje, ku nga ky numër fëmijë kanë qenë 284 prej tyre flitet për një numër të konsiderueshëm të fëmijëve që në mënyrë direkte ose  indirekte kanë qenë viktima të një forme ose tjetër të abuzimit dhe keqtrajtimit”, tregon ajo.

Ajo është shprehur se në gjithë Kosovën janë 10 strehimore, 8 prej tyre ofrojnë strehim për viktimat e dhunës.

“Ne në Kosovë kemi një sistem ta quajmë të vendosur tashmë që numëron afërsisht 2 dekada lidhur me strehimin rezidencial ku strehimi rezidencial nënkupton vendosjen të strehimit të fëmijëve të cilët dyshohet se janë në rrezik janë të abuzuar dhe të keqtrajtuar dhe vendosen në strehimore brenda vendit dhe normalisht në të gjithë vendin numërojmë 10 strehimore, 8 prej tyre ofrojnë strehim për viktimat e dhunës në familje, gra dhe fëmijë konkretisht dhe njëra është e specializuar për mbrojtjen dhe trajtimin e fëmijëve në të gjitha format e dhunës dhe abuzimit dhe një strehimore tjetër që ka të bëjë me strehimin, trajtimin , rehabilitimin e fëmijëve të rriturve viktima të trafikimit me qenie njerëzore”, thotë ajo. /Lajmi.net/