Shala: Qeveria po e përdor Policinë për gjithçka, s’ka sovranitet në veri
Kujtim Shala, Nënkryetar i LDK-së, ka kritikuar Qeverinë për dështimet në fushën e sigurimit dhe menaxhimit të Policisë, duke e cilësuar si të papranueshme situatën aktuale. Ai në Debat Plus, ka theksuar se Qeveria Kurti ka pasur vështirësi të blejë pajisje për Policinë, duke përmendur se disa policë nuk kanë as çizme, dhe se ka…
Lajme
Kujtim Shala, Nënkryetar i LDK-së, ka kritikuar Qeverinë për dështimet në fushën e sigurimit dhe menaxhimit të Policisë, duke e cilësuar si të papranueshme situatën aktuale.
Ai në Debat Plus, ka theksuar se Qeveria Kurti ka pasur vështirësi të blejë pajisje për Policinë, duke përmendur se disa policë nuk kanë as çizme, dhe se ka mungesë të kushteve elementare për funksionimin e forcave të sigurisë.
“Kjo qeveri ka pasur vështirësi që të blejë pajisje, dhe policët i ke pa çizme. Këto janë dështime të dorës së parë, bazike të palejueshme, nuk ka kushte. Ta përdorësh policinë për gjithçka është një gjë të krijosh kushte për ta edhe policia të funksionojë në bazë të ligjit është një gjë tjetër, pastaj rezultatet e Policisë nuk janë rezultate të qeverisë, Raporti i Policisë me Qeverinë duhet të jetë raporti i një kontrolluesi civil dhe një ndërtuesi të politikave jo më shumë”, ka deklaruar Shala.
Më tej, ai e quajti të gabuar përdorimin e Policisë për gjithçka dhe theksoi se detyra e saj është të funksionojë në bazë të ligjit dhe të jetë e ndarë nga politikat e Qeverisë.
Sa i përket sovranitetit, Shala kritikoi Qeverinë për deklarimet e shtrirjes së sovranitetit në veri, duke thënë se ndryshimi i targave dhe dokumenteve nuk ka të bëjë me sovranitetin, por është një veprim që është bërë nën ndikimin e Serbisë.
“Nuk është sovraniteti çështje e njësiteve speciale asnjëherë, është në një dorë çështje e Policisë së rregullt, të Policisë së shtetit të rregullt… Gjithçka çfarë ka ndryshuar në veri dëshmon ndikimin absolut politik të Serbisë sepse është bërë atëherë kur ka dashur dhe kur ka urdhëruar Qeveria e Serbisë. Kjo i bie që targat janë ndryshuar se targat janë ndryshuar sipas udhëzimeve të ministrisë së brendshme të Serbisë. Serbia po zbaton disa nga pikat e marrëveshjes bazike të Brukselit, edhe në rastin e dokumenteve kanë ngelur edhe simbolet. Pse këto nuk kanë të bëjnë më sovranitetin sepse varen nga vullneti sovran i një shteti tjetër dhe jo nga institucionet tona”, ka deklaruar Shala.
Mes tjerash, ai ka theksuar se ka mungesë total të sovranitetit në veri.