Shala publikon fakte: Kur KEK-u nuk po prodhon, mafia energjetike fiton

Kandidati për deputet i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar ashpër performancën e Bllokut B2 të Termocentralit Kosova B, pas investimit prej 50 milionë eurosh. Në një postim në rrjetet sociale, Shala ka shkruar se “jo vetëm që nuk shihet rritja e premtuar prej 35 MW, por B2 as nuk po e arrin kapacitetin bazë pas…

Lajme

12/12/2025 12:00

Kandidati për deputet i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar ashpër performancën e Bllokut B2 të Termocentralit Kosova B, pas investimit prej 50 milionë eurosh.

Në një postim në rrjetet sociale, Shala ka shkruar se “jo vetëm që nuk shihet rritja e premtuar prej 35 MW, por B2 as nuk po e arrin kapacitetin bazë pas investimit”, transmeton lajmi.net.

Ai ka përmendur të dhënat zyrtare të KEK-ut për datën 30 nëntor 2025, sipas të cilave B2 ka prodhuar mesatarisht vetëm 255 MW, nga 339 MW të instaluar, duke rezultuar në 1,440 MW energji të humbur brenda 24 orëve.

“Energjia është sektor strategjik, jo burim fitimi për grupe të lidhura me pushtetin. Qytetarët kanë të drejtë të dinë ku po shkojnë paratë e tyre: për prodhim real apo për xhepat e mafisë energjetike?”, ka shkruar Shala.

Ai ka kritikuar gjithashtu pagimin e 1.5 milionë eurove shtesë për kompaninë që kreu punimet, duke theksuar se mungesa e transparencës dhe rezultati i dobët krijojnë “një terren perfekt për interesa të errëta”.

Postimi i plotë: 

Kur KEK-u nuk po prodhon, mafia energjetike fiton
Investimi në Bllokun B2 të TC Kosova B u promovua si “modernizimi më i madh në 40 vite”: 35 MW shtesë dhe 20 vite jetëgjatësi.
Por faktet e vetë KEK-ut e rrëzojnë këtë propaganda qeveritare.
Në planin ditor të datës 30 nëntor 2025, B2 është në prodhim me vetëm 255 MW mesatarisht, ndonëse fuqia e instaluar është 339 MW. Kjo do të thotë se blloku ka rreth 84 MW mungesë kapaciteti. Vetëm nga kjo diferencë, Kosova humb 60 MW në orë, e përkthyer në 1,440 MW energji të humbur brenda 24 orëve.
Një humbje e madhe, që i shkon për shtati vetëm mafies energjetike, e cila fiton sa herë KEK nuk prodhon.
Pra, jo vetëm që nuk shihet rritja e premtuar prej 35 MW, por B2 as nuk po e arrin kapacitetin bazë pas investimit prej 50 milionë eurosh.
Çfarë modernizimi është ky, kur rezultati është më pak prodhim dhe humbje të qëllimshme që hapin treg për import?
Ironia vazhdon: kompanisë që kreu punimet i janë dhënë edhe 1.5 milionë euro shtesë për “punë plotësuese”. Në vend të transparencës dhe raportimit teknik, qytetarëve u jepet marketing, ndërsa faturat e energjisë ngritën nga mungesa e prodhimit.
Ndërkohë, të dhënat vjetore të KEK-ut tregojnë se prodhimi në vitin 2025 ka qenë më i ulët se vitin paraprak, pavarësisht se B2 ishte jashtë funksionit për muaj të tërë për “modernizim”. Rezultati: më pak energji, më shumë shpenzime, dhe menaxhim më të dobët – një terren perfekt për interesa të errëta.
Energjia është sektor strategjik, jo burim fitimi për grupe të lidhura me pushtetin. Qytetarët kanë të drejtë të dinë ku po shkojnë paratë e tyre: për prodhim real apo për xhepat e mafisë energjetike?
Më poshtë e keni prodhimin e datës 30.11.2025:/lajmi.net/