Shaip Surdulli lirohet nga akuza, shkak vjetërsia e lëndës

Ishçkreu i Kamenicës, Shaip Surdulli është liruar nga akuzat nga ana e EULEX-it, pasi prokurori kishte hequr dorë nga aktakuza me arsyetimin se lënda është vjetruar.

Lajme

10/07/2014 21:56

Surdulli tha se gjithmonë ka besuar në organet e drejtësisë, ashtu siç ka besuar gjithmonë “edhe në pastërtinë e tij”, raporton rajonipress.

“Jam i sigurt se për ato vite që kam punuar, jam munduar e përpjekur që të jem në shërbim të qytetarëve të Kamenicës dhe asnjëherë nuk kam lejuar që të dëmtohet dinjiteti i institucioneve komunale”, tha Surdulli.

Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës akuzohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës (EULEX) për “shpërdorim të detyrës zyrtare”, nën dyshimin se ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Kamenicës për 384 euro.

Në aktakuzë thuhej se ekziston dyshimi se kryetari i Kamenicës, në dëm të buxhetit të Kamenicës ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke nxjerrë një vendim për kompensimin e shpenzimeve për udhëtim zyrtar jashtë Kosovës për Hanife Surdullin, bashkëshorten e të pandehurit, e cila më 17 janar 2011 ka udhëtuar së bashku me delegacionin nga Kamenica për në Gjermani, në një vizitë kompanisë “Fritz Schafer Gmbh”, që merret me riciklimin e mbeturinave. Ajo nuk ka qenë pjesë e administratës komunale në Kamenicë gjatë vitit 2011, ndaj është thënë se ka dëmtuar buxhetin e Komunës për shumën prej 384 eurove, e me çka është kryer vepra penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit”.