Sfishta: Qendra e Studentëve i plotëson kushtet për karantinë – Do të filloj shpërndarja e re e racioneve me ushqim

Qendra e Studentëve është shndërruar në karantinë për njerëzit që kanë ardhur në Kosovë që të izolohen për 14 ditë për shkak të rrezikut të përhapjes së koronavirusit.

Lajme

19/03/2020 18:10

Gjatë ditës ka pasur disa pakënaqësi lidhur me kushtet brenda konvikteve ku janë vendosur të karantinuarit.

Drejtori i Qendrës së Studentëve Fatmir Sfishta, në një linjë direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ka folur për kushtet brenda këtyre konvikteve.

Sfishta tha se kjo qendër i plotëson kushtet.

“Më vjen keq për shprehjen e atyre pakënaqësive. Kemi filluar përgatitjet prej një jave. Kemi filluar ti pastrojmë gjitha dhomat në konviktin numër 8. Kemi pasur disa rezistenca që të mos vendosen njerëzit. Kanë dalë disa foto të një rasti të izoluar të një banja nga qindra banjat e këtij konvikti. Qendra e studentëve i plotëson kushtet “- tha Sfishta.

Kreu i QS-së shtoi se akomodimi brenda dhomave bëhet sipas rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Sfishta njoftoi se përveç pakove higjienike, të karantinuarit do të marrin tre racione me ushqim në ditë.

“Konvikti numër 6 është ndërtuar në vitin 2009, por konvikti numër 8 është ndërtuar në vitin2019-të ku janë kushtet më të mira. Këto dhoma shfrytëzohen nga studentët dhe katër studentë e shfrytëzojnë një banjo. Kemi bërë edhe nga një pako higjienike me gjitha ato që kanë nevojë .Tani do të filloj që Menza ti ofroj tre racione ushqim të përgatitur nga stafi, i përgatitur mirë “- shtoi Sfishta.

“Brenda dhomës të karantinuarit mund të vendosen edhe nga një person. Njerëzit e papërgjegjshëm kanë përhapur panikë në opinion duke thënë se brenda ka edhe njerëz të infektuar me koronavirus. Ju bëjë thirrje organeve të drejtësisë të merr masa ndaj këtyre rasteve “- tha ai.