Sfidat e punëtorëve në Kosovë
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thotë se mungesa e sigurisë në punë, mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe pagat e ulëta janë disa nga sfidat me të cilat ballafaqohen punëtorët kosovare. BSPK vlerëson se punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë, ata të grumbullimit të mbeturinave dhe të sektorit energjetik, punojnë në kushte të vështira dhe…

Lajme
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thotë se mungesa e sigurisë në punë, mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe pagat e ulëta janë disa nga sfidat me të cilat ballafaqohen punëtorët kosovare. BSPK vlerëson se punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë, ata të grumbullimit të mbeturinave dhe të sektorit energjetik, punojnë në kushte të vështira dhe u rrezikohet më së shumti jeta.
Dafina Mehaj nga kjo sindikatë, thotë për KosovaPress Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë punëtorët në Kosovë vazhdon t’i gjejë të pambrojtur dhe pa siguri në vendet e punës.
“Ne e shohim se kjo ditë Kosovën e ka gjetur jo më mirë se vitet e kaluara, nuk është e kënaqshme kur vije deri tek siguria e punëtorëve në punë. Jemi të brengosur dhe bëjmë thirrje sepse ky nuk është problem vetëm i sindikatave është problem i gjithë shoqërisë kosovare, gjendja e punëtorëve është shumë e keqe punëtorët kosovar nuk kanë siguri në punë, kanë edhe probleme të tjera pos sigurisë, ballafaqohen kohët e fundit me çmimet e larta me pagat e ulëta, me ikje të punëtorëve të jashtë vendit, me mungesë të Fondit ë Sigurimit Shëndetësor pra janë një pako e gjërave që punëtorin e gjejnë edhe këtë vit të pambrojtur dhe me vende pune të pasigurta”, theksoi Mehaj.
Mungesa e dialogut social viteve të fundit dhe fuzionimi i Ministrisë së Punës tek ajo e Financave po konsiderohet hendikep i madh për të trajtuar problemet e punëtorëve.
“Ne çka do që bëjmë e bëjmë përmes dialogut social i cili mungon për disa vite, mungon Këshilli Kombëtar për Mbrojtje dhe Siguri në Punë ku aty shembull bëhet lista e sëmundjeve profesionale, ka akterë të ndryshëm që trajtojnë temat e punëtorëve i cili edhe ai është nuk është funksional. Ministrinë e Punës e dini që pothuajse nuk ekziston, që 4 vite është inekzistente sepse në të kaluarën e kemi pas një adresë ku diskutoheshin hallet dhe problemet e punëtorëve në partneritet social sot ajo mungon sepse është fuzionuar në Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe pak a shumë është një hendikep i madh për sindikatat”, shprehet ajo.
Dafina Mehaj nga BSPK thotë se sektori i ndërtimtarisë, i grumbullimit të mbeturinave, por edhe punëtorët që punojnë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ballafaqohen me kushte të këqija dhe pasiguri në punë.
“Po fillojmë prej ndërtimtarisë që gjithmonë ka qenë problem dhe nuk u rregullua asnjëherë, sepse është sektor privat mirëpo ka edhe sektorë të tjerë, sektori i energjisë elektrike, prodhimit të energjisë elektrike kemi çdo ditë në ueb faqen e punëtorëve të KEK-ut, çdo javë thuhet se një punëtorët ka humbur jetën në vendin e punës ka vdekur dhe jo për shkak se është lënduar atë ditë, por duke punuar në kushte të vështira dhe në ambient jo adekuat”, shprehet Mehaj.
Nga Bashkimi i Sindikatave të Pavrara të Kosovës kërkojnë sa më shpejt të formohet qeveria e re dhe të jenë prioritet problemet sociale.
“Ende nuk e kemi qeverinë e formuar, kjo është shumë brengosëse sepse ne besoj që kemi votuar një qeveri që do të punojë për popullin e saj, nuk e kemi dhënë votën kot. Neve nuk na interesojnë emrat, ky i mirë, ky i keq, ne duam formimin e qeverisë sa më shpejt, dhe që ajo qeveri të jetë në shërbim të popullit të saj dhe të mendoj për probleme sociale të cilat na mungojnë“, tha ajo.
Vitin që lamë pas, shtatë punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, ndërkaq në tre mujorin e parë të këtij viti, tre punëtorë gjetën vdekjen në punë.
Të dhënat tregojnë se vdekjet që kanë ndodhur si pasojë e aksidenteve në punë në vende të ndryshme të botës, janë 19% ./B.Ibishi