​Sfidat dhe vështirësitë e Zeqirit dhe Pecit, ky i fundit u provokua nga Dragisha Miloviq

Derisa në katër komunat veriore të premten u betuan kryetarët e rinj nga radhët e Listës Serbe, ish-udhëheqësit e Komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut flasin për sfidat që patën dhe pritjet për të ardhmen. Milan Radojeviq, Dragisha Milloviq, Millosh Peroviq dhe Zoran Tadia, u betuan të premten si kryetar të komunave në veri të…

Lajme

06/12/2025 15:52

Derisa në katër komunat veriore të premten u betuan kryetarët e rinj nga radhët e Listës Serbe, ish-udhëheqësit e Komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut flasin për sfidat që patën dhe pritjet për të ardhmen.

Milan Radojeviq, Dragisha Milloviq, Millosh Peroviq dhe Zoran Tadia, u betuan të premten si kryetar të komunave në veri të vendit. Ceremonitë e betimit u zhvilluan në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke formalizuar kështu tranzicionin e udhëheqjes lokale në këto komuna.

Dorëheqjet e kryetarëve serbë në komunat veriore erdhën pas një zinxhiri ngjarjesh që nisi në qershor të vitit 2022, kur Qeveria e Kosovës aktivizoi masat e reciprocitetit për riregjistrimin e targave të lëshuara nga Serbia dhe ndalimin e përdorimit të dokumenteve serbe të identifikimit brenda territorit të Kosovës.

Vendimet shkaktuan reagim të menjëhershëm në veri, ku u ngritën barrikada në Jarinjë e Bërnjak dhe pati tensione të vazhdueshme që u ashpërsuan drejt fundit të vitit 2022. Situata kulmoi me largimin masiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet qendrore, komunale, policore dhe ato gjyqësore.

Dorëheqja e kryetarëve serbë krijoi vakum institucional dhe çoi në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në prill të vitit 2023, të cilat u bojkotuan nga Lista Serbe dhe, në masë të madhe, nga komuniteti serb në veri.

Zyrtarët e komunave në veri të vendit, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, rikthejnë në fokus periudhën e tyre të qeverisjes, sfidat e sigurisë dhe të arriturat që kishin.

Ish-kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri për Kosovapress ka ka kujtuar periudhën e kohës kur kishte marrë mandatin si kryetari i kësaj komune, me vështirësi dhe probleme të shumta e deri tek stabilizimi i situatës.

“Pra, ju siç e dini, ne kemi hy në gjysmë mandati pas dorëheqjeve të gjitha strukturave; kemi hy në një fazë zgjedhore të rregullta që mund të jenë ato por me një gjysmë mandati. Dihet, ne jemi ballafaquar me sfida të mëdha, kundërshtime të mëdha, për shkak se këto grupe që përpiqen dhe janë përpjekur të marrin, të pengojnë Republikën e Kosovës, të pengojnë procedurat e Kosovës, ta kundërshtojnë shtetin e Kosovës; ato, do të thotë, bënë një organizim të fuqishëm kundërshtues dhe dihet deri patën revolta të mëdha”-u shpreh ish kryetari i Zubin Potokut

Gjatës kësaj periudhe sipas Zeqirit, sfidat më të mëdha kanë qenë kundërshtimi i ashpër dhe sulmet e grupeve kriminale që organizuan protesta të fuqishme duke krijuar pasiguri te qytetarët

“Po, sfida më e madhe ka qenë ai kundërshtimi, pra që sulmuan dmth grupet kriminale, organizuan aq protesta të fuqishme, sulmuan organet e rendit, na pengonin në administratë, sulmonin organet e KFOR-it. Ai ishte sulmi më i madh, do të thotë, që krijoheshin pasiguri edhe te qytetarët, edhe natyrisht edhe te personeli. Ajo ishte fillimi i një prej sfidave të mëdha, sepse në gjendje të tilla është vështirë të normalizohen dhe të funksionojë diçka normal”-potencoi Zeqiri

Një vit pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, kryetari në ikje Izmir Zeqiri ka thënë se ai sulm ishte terrorist, por organet e sigurisë po punojnë për të zbardhur se kush qëndron pas kësaj.

“Edhe ai ishte një sulm terrorist siç jam shprehur qysh në natën e parë, qysh se kur ka ndodhur ishte sulm shqetësues dhe i rëndë shumë i dëmshëm, mirëpo ja që prej atëherë duket se janë marrë disa të dyshuar, mekanizimi i sigurisë ka punuar dhe është duke punuar për zbulimin e rastit, mirëpo duket se dikush është akoma në mbajtje, e din mekanizimi i sigurisë, kjo është çështje e sigurisë. Mirëpo ajo ishte shqetësuese, ai ishte sulm shumë i dëmshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës”-përfundoi Izmir Zeqiri

Situata nuk ishte e qetë as në Zveçan, ish-kryetari i kësaj komune, Ilir Peci kujton se kur në sallën e kësaj komune është festuar për herën e parë festa e 28 Nëntorit, sulmet kishin filluar që atë natë.

“Për herën e parë në veri të Kosovës është mbajtur kuvendi dhe është festuar dita e 28 Nëntorit, do të thotë në vitin e kaluar në sallën e kuvendit në katin e tretë, ku kanë qenë përmbi ndoshta 300 veta, dhe asnjëherë nuk më është larguar nga mendja duke e ditur situatën në të cilën jemi këtu deri e kam përfunduar fjalimin tim. Në mendjen tim ka shkuar se mundet me ndodh ndonjë sulm, ku ishin 300 persona e në mesin e tyre ka pasur edhe gazetarë. Kanë qenë shumë procedura, do të thotë, atë natë pikërisht janë djegur edhe dy vetura dhe janë gjuajtur bomba afër objektit të komunës, ku zyrtarët kanë qenë brenda. Nuk mund të veçojë vetëm një ditë apo një problem që kanë qenë, por në vazhdimësi kam qenë në presion në atë kuptimin se mundet me ndodh diçka”, deklaroi Peci.

Se kërcënimet nuk i kishin bërë asnjëherë përshtypje Ilir Pecit, e pohon edhe ai vetë duke thënë gjithmonë ishte në koordinim me Policin e Kosovës.

“Asnjëherë nuk më ka interesuar, frika që më ka ardhur vazhdimisht edhe ju jeni të njoftuar sigurisht që në fillim nga Lista Serbe, disa herë para gazetarëve të Beogradit, unë ia kam shpjeguar në pika të shkurta se me kërcënime mua nuk mundeni më m’ larguar. Po vazhdimisht, për ato gjithmonë kanë qenë të njoftuar edhe policia, do të thotë gjithmonë jam thirrur në atë se me kërcënime nuk mundeni m’ larguar, derisa shteti jem jam ardhur në mënyrë ligjore dhe i respektoj ligjet e Republikës së Kosovës. Zakonisht kërcënimet janë thirr me u larguar nga objekti, me dhënë dorëheqje, mirëpo asnjëherë nuk më kanë bërë përshtypje, e kemi njoftuar Policinë dhe kemi vazhduar prapë. Asnjëherë nuk e kam menduar dorëheqjen, absolut hiq”, theksoi Peci.

Peci flet edhe takimin që kishte me kryetarin e ri të betuar të Listës Serbe, Dragisa Miloviq.

“[Nga kryetari i ri nga radhët e LS] Kërkoj vetëm të zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës, asgjë më shumë, mirëpo nëse ai nuk i respekton atëherë ballafaqohet me ligj të shtetit tonë. Në javën e kaluar kemi pasur një takim, ka qenë do të thotë këtu në zyrën time, së pari ka kërkuar jashtë objektit, por nuk kam pranuar me u takuar, mirëpo nuk ka qenë një frymë shumë e mirë, disa provokime i ka pasur. Por fillimisht, kur hyri këtu, ka pritur me ia liruar karrigen, dmth jo që unë jam kaq për një karrige, mirëpo rendet dhe procedurat janë ato…. Pastaj filloi për disa fotografi që ku i kemi lënë fotografitë, përgjigjja ime ka qenë shumë e qartë dhe shkurtër, vetëm për takim, për procedurat se kur duhet thirrur për kuvendin e ri”-ka përfunduar Peci.