S’është faji juaj që s’gjeni dot të duhurin, frika për të rënë në dashuri ekziston me të vërtetë

Po e nis duke thënë që kam një lajm të mirë dhe një të keq.

Lifestyle

31/01/2020 10:03

Lajmi i mirë është që tashmë keni një argument të vërtetë kur nuk ju pëlqen dikush. Në vend që të thuash “ Nuk ndihem gati për një marrëdhënie të re”, mund të jesh më elegant dhe të përgjigjesh “ Më vjen keq, vuaj nga philophobia. Lajmi i keq është që nëse ke vërtetë frikë të dashurosh atëherë mund të kesh realisht këtë problem.

Të gjithë ne, kemi pësuar një zhgënjim dashurie, një dhimbje që na bën të dëgjojmë “ Ndarja” nga Soni Malaj deri sa të na zërë gjumi. Asgjë e re.

Por ndoshta jo të gjithë e dinë që dhimbja nga dashuria mund të transformohet në frikë nga dashuria, philophobia ose filofobia. Një patologji e vërtetë që të bën të ikësh me vrap para çdo takimi. Kjo nuk të lejon që të ndërtosh një të ardhme bashkë me dikë tjetër. Në rastet më të rënda, personi ka frikë të dashurojë miqtë apo të afërmit, transmeton Living.

Të gjitha këto dinamika i kemi parë edhe në filma, i njohim mirë, por sot kanë dhe një emër, por dhe një faqe web, philophobia.info. Sipas përshkrimit në faqen e internetit të dedikuar, filofobia përshkruhet si një frikë jo normale dhe e pa justifikuar  për të rënë në dashuri.  Fjala rrjedh nga greqishtja e vjetër, ku philo do të thotë dashuri, dhe phobia do të thotë frikë.  Kjo frikë nga dashuria nuk është vetëm një situatë emotive, sepse mund të krijojë dhe probleme fizike reale dhe të krijojë një ndarje të vërtetë me familjarët, miqtë apo kolegët.

Simptomat e filofobisë ndryshojnë nga nervozizmi në prezencë të partnerit, frikë nga mendimi që do të takosh dikë. Në rastet më ekstreme filofobia krijon  panik duke u shoqëruar me djersitje, rrahje zemre, mungesë ajri, marrje mendsh dhe një nevojë për të ikur. Tani, mos bëni panik. Do kalojë siç ka ndodhur me të gjithë. Nëse keni dyshime që vuani nga filofobia mund të drejtoheni te psikologu ose të shkruani një këngë.