Serwer për ligjin për të huajt: Përfitojnë serbët, por edhe mund të rrit tensionet pasi ky komunitet nuk është i pavarur nga Beogradi

Qeveria e Kosovës ra dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe – gjëra që do t’i zbusin pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe për…

Lajme

17/03/2026 15:59

Qeveria e Kosovës ra dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe – gjëra që do t’i zbusin pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe për automjetet.

Bazuar në këto ligje, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të marrin leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në rrugët e Kosovës për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka vlerësuar si pozitive marrëveshjen e arritur nga Kosova me Bashkimi Evropian për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atë për automjetet, e cila prek komunitetin serb në vend.

Në një prononcim për Lajmi.net, Serwer theksoi se kjo qasje është më shumë praktike sesa politike.

“Është një gjë e mirë: pragmatike dhe teknike, më shumë sesa politike apo retorike,” tha ai, duke e vendosur marrëveshjen në kontekstin e dialogut Kosovë–Serbi dhe marrëdhënieve me BE-në.

Sa i përket ndikimit te komuniteti serb, ai u shpreh i rezervuar, por shtoi se mund të ketë përfitime për ta.

“Nuk e di vërtet. Më mirë t’i pyesni ata. Mua më duket se ata përfitojnë,” deklaroi Serwer.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së këtij komuniteti në vendimmarrje, por pranoi vështirësitë praktike.

“Në parim, është e rëndësishme. Në praktikë, e vështirë, pasi ky komunitet nuk është i pavarur nga Beogradi,” tha ai për lajmi.net

Duke komentuar vendimin për lejet e përkohshme 12-mujore, Serwer theksoi se suksesi i kësaj mase varet nga mënyra e zbatimit.

“Kjo varet plotësisht nga mënyra se si përdoren këto 12 muaj. Është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të veprojnë shpejt për të rregulluar statusin e të gjithë serbëve që duan ta bëjnë këtë. Po ashtu, sa më shumë serbë duhet të kërkojnë ta rregullojnë statusin e tyre në Kosovë,” u shpreh ai.

Në fund, profesori amerikan paralajmëroi si për përfitimet ashtu edhe për rreziqet që mund të sjellë kjo marrëveshje.

“Përfitimet janë të qarta: Kosova duhet të bëhet një shtet normal që i trajton të gjithë qytetarët e saj në mënyrë të barabartë. Rreziqet janë gjithashtu të qarta: kjo mund të jetë një masë tjetër që rrit tensionet me serbët e Kosovës dhe me Serbinë,” theksoi ai për lajmi.net

Sipas tij, një rol kyç në këtë proces ka edhe Beogradi. “Beogradi ka një zgjedhje: duhet të zgjedhë t’i nxisë serbët e Kosovës të bashkëpunojnë,” përfundoi Serwer.

Vendimi i Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti erdhi pas një takimi në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimi Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, të shtunën në mëngjes, ku u tha se zbatimi i plotë i ligjit fillon që nga 15 marsi i vitit 2026.

Kjo marrëveshje është përshëndetur si nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga Serbia.

Ndërkohë, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, mirëpriti marrëveshjen, duke theksuar se respekton kornizën ligjore të Kosovës dhe siguron zgjidhje praktike për të gjithë komunitetet që të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në vend.

“Mbretëria e Bashkuar e mirëpret marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe BE-së për zbatimin e Ligjit për të Huajt. Marrëveshja respekton kornizën ligjore të Kosovës, ndërkohë që ofron zgjidhje praktike për të gjitha komunitetet që të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në Kosovë pa ndërprerje të shërbimeve. Ne mirëpresim angazhimin e Kryeministrit Kurti për ta zbatuar ligjin dhe planet e tjera të ardhshme që prekin komunitetin serb në Kosovë, në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin”, u tha në postimin e tij.

Lidhur me ketë çështje ka reaguar edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Qeverinë gjermane, Michael Reiffenstuel.

Kurse Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka thënë se mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe ka theksuar që çdo ndryshim që prek komunitetin serb në Kosovë duhet të bëhet në konsultim me pjesëtarët e tij.

“E përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës në përgjigjen me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se mirëpresim dhe mbështesim plotësisht përpjekjet për të shfrytëzuar momentumin e ri në dialog për të zbatuar plotësisht marrëveshjet e Brukselit/Ohrit.

Ndryshe kryeministri Kurti ka thënë se është pajtuar për të mundësuar leje të përkohshme qëndrimi për punonjësit shëndetësorë dhe ata të arsimit, në mënyrë që serbëve lokalë të mos u mungojnë shërbimet bazike derisa Kosova t’i shkrijë ato plotësisht brenda sistemit të vet./Lajmi.net/