Serbisë nuk do t’i ngutet për Dialogun

Azem Vllasi thotë se Serbia nuk do të nxitojë të vazhdojë dialogun politik me Kosovën. Sipas tij, shteti fqinj tashmë do të vazhdojë me kushte të reja për Kosovën. Ndërsa mendon se fitues në zgjedhjet serbe të 16 marsit do të dalë Aleksandar Vucic.

Lajme

16/03/2014 07:12

Azem Vllasi thotë se Qeveria e re e Serbisë, e cila do të dalë pas zgjedhjeve të 16 marsit, nuk do të nxitojë që të vazhdojë Dialogun me Kosovën.

Bisedimet politike përmes të cilave u arrit Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, sipas tij, Serbisë i janë dashur vetëm për ta trasuar rrugën e saj europiane.

Në një prononcim për lajmi.net, Vllasi pohon se shteti fqinjë do të mundohet sa më shumë të “zhagisë” procesin e bisedimeve, pasi ajo tashmë ka filluar negociatat për anëtarësim në BE.

“Pas formimit të Qeverisë së re në Serbi, ata nuk do të nxitojnë për vazhdimin e dialogut. Dialogu i është dashur deri tani për ta trasuar agjendën europiane.”

“Pasi që Serbia ka marrë statusin e kandidatit dhe ka filluar negociatat për anëtarësim, nuk ka nevojë të nxitojë për aq sa e detyron Brukseli që të vazhdojë bisedat.”

“Por, Serbia do të vazhdojë me kushtet të reja, do të shantazhojë deri diku palën kosovare dhe do të tenton të tregohet që e ka pozicionin më të fort në bisedime”.

Takimi i fundit në mes të dy Kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, u zhvillua në muajin shkurt, ku ishin pajtuar në parim, për çështjet që ka të bëjnë me gjyqësinë.

Edhe vetë ndërmjetësuesja e këtij dialogu, Baronesha Catherine Ashton, ka deklaruar se nuk dihet se kur do të mbahet raundi i ri, duke marrë parasysh që të dy vendet pritet të përfshihen në procese zgjedhore.

Serbia pritet të mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të dielën, ndërsa Kosova duket se do të vendosë t’i zhvillojë ato në qershor.

Vllasi flet edhe për zgjedhjet e nesërme që mbahen në Serbi. Si fitues e sheh Kryetarin e Partisë Progresiste Serbe, Aleksandar Vucic.

“Sondazhet si duket janë reale dhe partia e Vucicit do të arrijë të sigurojë vota më së shumti në Serbi, por nuk do ta fitojë shumicën absolute. Megjithatë, duhet të bëjë me dikë koalicion”.