Serbinë s’e kënaq Asociacioni

Qeveria e Serbisë është duke u përgatitur që përmes një dokumenti të kërkojë kompetenca shtesë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Lajme

14/08/2014 10:08

Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës zotohen se nuk do të ketë asgjë më shumë sesa ajo që parashihet me Ligjin për qeverisje lokale, shkruan Kosova Sot.

Kurse, këtë iniciativë të Serbisë më shumë e shohin si një tendencë për destabilizim të situatës.

Burime të afërta me procesin e bisedimeve në Bruksel, i kanë thënë kësaj gazete se Serbia është duke u përgatitur të parashtrojë kërkesa shtesë në Bruksel sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe në veri.

“Kemi informacione se pala serbe e ka hartuar një dokument, përmes së cilit pretendon të kërkojë kompetenca shtesë për Asociacionin, përtej Ligjit për Qeverisje Lokale.

Këtë dokument Serbia po pret ta diskutojë me Prishtinën zyrtare sapo të krijohen institicuonet e reja të Kosovës.

Sipas këtij dokumenti, Beogradi ka parashikuar që në Asociacionin e Komunave Serbe të përfshihen të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë”, ka bërë të ditur ky burim.